Ana e errët

Dritan Rexhepaj, vrasësi 19-vjeçar. Si u pagua për të vrarë policët se ndaluan një të fortë

Dritan Rexhepaj, i cili prej gjashtë vitesh po mbahet në një burg të sigurisë së lartë në Quito Ekuador duket se ia ka dalë sërish mbanë të krijojë lidhjet e duhura për të organizuar trafik droge nga ky vend drejt Britanisë së Madhe. Ka dyshime se 40 vjeçari nga fshati Velçë i Vlorës është pikërisht personi që ka gjetur nga qelia trafikantët e kokainës, si dhe ka bashkërenduar veprimet e trafikantëve ndërkombëtarë shqiptarë për të nisur drejt portit britanik një kontenier brenda të cilit ishin më se 200 kilogramë kokainë. Por, Dritan Rexhepaj është një emër mjaft i   lakuar në disa shtete gjatë dy dekadave të fundit për krime të ndryshme si vjedhje bankash, arratisje, trafik droge e të tjera. Ka provuar disa shtete dhe iu ka ikur nga duart burgjeve në Itali dhe burgjeve në Shqipëri, dhe tashmë nga burgu prokuroria beson se ai ka koordinuar trafikun me anëtarë grupesh që veprojnë jo vetëm në Angli, por edhe në Holandë dhe Belgjikë.

Si hyri Dritan Rexhepaj në rrugën e krimit të organizuar?

Të dhënat e kartotekës së Policisë së Shtetit japin detaje ekskluzive nga karriera kriminale e Rexhepajt. Emri i tij i mëparshëm rezulton të ketë qenë Gramoz, por ai e ndryshon këtë emër në gjendjen civile të qytetit të Vlorës, ku madje arrin të modifikojë edhe vendlindjen, duke u regjistruar nga i lindur në fshatin Velçë, i  lindur dhe banues në Vlorë. Dritan Gramoz Rexhepaj e nisi karrierën kriminale në moshën 19-vjeçare ku besohet se u pajtua për të vrarë policin Durim Kasmi dhe Ramazan Bakiun, një ekzekutim që ndodhi në vitin 1999 në qendër të Krujës. Të dy ata u qëlluan me breshëri automatiku me 37 plumba, thotë aktekspertimi i asaj kohe i Policisë së Shtetit, të cilin gazeta “Si” e disponon. Njëri nga shënjestrat vdiq menjëherë në vendngjarje, ndërsa i dyti ndërroi jetë 11 ditë më vonë. Ai u vendos nën akuzë së bashku me dy persona të tjerë po nga qyteti i Vlorës për vrasje për shkak të detyrës së efektivëve të Policisë së Shtetit, por rrugës drejtësia ia lehtësoi akuzat duke e konsideruar një krim të thjeshtë dhe jo për shkak të detyrës. Gjatë shqyrtimit gjyqësor arriti në konkluzionin se vrasja e punonjësit të policisë, Durim Kasmi, nga i akuzuari në atë kohë i moshës 19 vjeç, nuk u krye për shkak të cilësive të tij të veçanta si polic, por për hakmarrje edhe pse dëshmitarët dhe familjarët e tyre si dhe qytetarë të Krujës i kishin rrëfyer se polici nuk kishte asnjë hasmëri. Madje, dëshmitarët e shumtë treguan edhe rrethana se si ai ishte konfliktuar me të afërmin e një krimineli teksa e kishte shoqëruar në polici. Por, për ironi gjykata e lehtësoi aq shumë pozicionin e Rexhepit dhe bashkëpunëtorëve të tij në krim duke shtuar në aktet që gazeta “Si” disponon se efektivi i policisë, pra viktima kishte kryer veprime të paligjshme ndaj personit që kishte organizuar krimin Shkëlqim Haka, i cili më pas u vra. Argumentet kryesore të gjykatës ishin fakti që shumë dëshmitarë nuk jetonin më, si edhe fakti që këto deklarata ishin paraprake nga dëshmitarët, pra dhënë pas eliminimit të policëve dhe jo gjatë gjykimit. Por askush nuk hetoi nëse ata dëshmitarë që pranuan të vinin në gjykatë në atë kohë dhe të ndryshonin dëshmitë a ishin apo jo të kërcënuar?

Ky lehtësim i motiveve se përse u krye krimi në atë kohë ndaj policit Kasmi dhe kolegut të tij që ndërroi jetë nga plagët e rënda, do të thoshte lehtësim akuze e për rrjedhim heqje të burgimit të përjetshëm, ashtu edhe siç ndodhi gjatë rrjedhës së gjykimit.

Në fashikull një dëshmitar mjaft i rëndësishëm tregon përfshirjen e Gramoz Rexhepit në krim.

Shefqet Seferi: Shkëlqimi (Haka) më tha se dy djemtë nga Vlora do vrisnin policin Durim Kasmi sepse ai kishte goditur me grusht kushëririn e Bledar Zenelit, Kamber Zeneli. Me sa mora vesh unë, një ditë pas vrasjes së Arben Keqit, Kamberi kishte marrë makinën e Enver Hakës dhe po bënte xhiro në qytet. Në atë moment, ai kishte xhiruar gomat në komisariat dhe kishte ndërhyrë policia dhe e kishte kapur. Në momentin që e kishte kapur polici Durim Kasmi e ka goditur me grusht në fytyrë dhe i nxiu një pjesë të mollëzës së fytyrës. Për këtë fakt, Shkëlqimi (porositësi) ishte mjaft i revoltuar.

Efektivi i policisë, Shyqyri Sheta deklaron në atë kohë për vrasjen e dy kolegëve të tij nga vrasësi me pagesë Dritan Rexhepaj:

Të dy policët ishin shokë të ngushtë me njëri-tjetrin dhe kanë pasur përplasje për shkak të detyrës me fisin Haka nga fshati Nikël i Krujës (fis i fuqishëm në botën e krimit). Nuk më kujtohen rrethanat e shoqërimit të Kamber Tafës, por kam dëgjuar në atë kohë se pas vrasjes së Arben Keqit është kryer nga vrasës me pagesë.

Një tjetër dëshmitar, i cili nuk jeton më pohoi në atë kohë:

Neki Kasmi: Shkova te dyqani i mishit të Çim Shullazit dhe dëgjova automatikë. Dola menjëherë dhe dëgjova britma njerëzish, njëri nga autorët ishte me trup të gjatë, i dobët, ndërsa tjetri me trup të shkurtër dhe pak i shëndoshtë. Pas kësaj kam shkuar te djali me synim se mos e gjej gjallë, pastaj erdhi një makinë dhe e mori e çuam në morg. Djali im nuk ka pasur hasmëri me asnjë person. Por, nga puna në polici, pasi ai bashkë me Arben Keqin ishin njerëzit kryesorë në polici që shpëtuan qytetin tonë nga shkatërrimi gjatë 1997 dhe në vazhdim. Ata kanë kapur shumë kriminelë dhe i kanë futur në burg, dikush i ka ruajtur dhe i ka vrarë. Im bir kishte dhjetë vjet në këtë detyrë.

Si e shpëtoi drejtësia nga dënimi i përjetshëm vrasësin e policëve? Vazhdon ditën e nesërme...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë