Ekspozite

Driant Zeneli: Të kapërcesh Diellin dhe të prekësh Hënën nuk është e pamundur

Nga zbritja në hone tek lartësimi poetik, duke kapërcyer një shumësi formash shkretie. Kjo është treshja e ekspozitave të prezantuara në Galerinë e Artit Modern dhe Bashkëkohor të Bergamos, në Itali, tre momente të rëndësishme që mbërthejnë tablonë e artit të të rinjve në Itali, ku mes tyre është edhe artisti shqiptar Driant Zeneli. Krahas veprave të kolegëve të tij, italianëve Oscar Giaconia dhe Jacopo Miliani, Zeneli paraqitet me trilogjinë video, titulluar “When Dreams Become Necessity”. Performanca ka të bëjë me përballjen me kufizimet e trupit dhe ligjet e natyrës, duke u sublimuar në poezi.

Me trilogjinë e tij, Zeneli rilexon toposin e tragjedisë greke të hybrisit, duke treguar se, t’i shkosh pas një ëndrre duke sfiduar kufizimet e vendosura nga natyra, mund të jetë porta për mundësi dhe alternativa të reja. Dhe kështu përpjekjet për të kapërcyer diellin për të prekur hënën dhe për të vizatuar një re përfaqësojnë një sipërmarrje donkishoteske, por megjithatë të nevojshme. “When Dreams Become Necessity” (Kur ëndrrat bëhen domosdoshmëri), përbën një reflektim mbi dështimin, të kuptuar jo si fundi, por si një mundësi për të imagjinuar shtigje ende të paeksploruar dhe për të pritur stimulin e sfidave të reja.

Tri videot dokumentojnë gjithashtu veprime performuese të kryera nga artisti: hedhje në zbrazëti, fluturim me parashutë dhe një hedhje, i mbërthyer në një teleferik përmes një kavoje, me shpejtësi maksimale. Në të gjithë rastet, Zeneli kërkon të përmbushë tri dëshira, tri ëndrra të pamundura të konkretizohen, që përfshijnë një shkallë rrezikshmërie dhe guximi. Modaliteti i filmimit, me  kamerën në dorë, kontribuon në krijimin e një dimensioni gjithëpërfshirës, për të dhënë ndjesinë e pranisë fizike, pranë artistit,  në çastin kur përgatitet të kryejë veprimet e tij.

Në videon e parë, “Ëndrra e Ikarit ishte të bënte një re” realizuar më 2009-ën, artisti përpiqet të krijojë një re mbi një parashutë.  Në të dytën, “Disa thonë se Hëna preket lehtë”, vepër të cilin i riu nga Shkodra e realizoi më 2011-ën e me të cilën mori pjesë në Bienalen e Venecias, ai qëndron i mbërthyer përmes një kavoje, në përpjekje për të prekur hënën në natën në të cilën, sateliti është në pikën më të afërt me Tokën, ndërsa në të tretën “Mos e shih diellin kur pret ta kapërcesh”, realizuar në vitin 2014, Zeneli vendos të kapërcejë diellin duke udhëtuar me një teleferik pasi  kometa “Lovejoy” kaloi atmosferën e diellit, duke dalë e padëmtuar.

Në të tre videot, veprimet performuese përmbyllen shpejt, duke zbuluar iluzionin pas tyre. Pjesa më e madhe e imazheve fokusohen në fazën përgatitore, duke e ngarkuar kohën përpara veprimit me tension dhe pritshmëri dhe duke theksuar angazhimin dhe vullnetin e nevojshëm për të realizuar sipërmarrje,  të cilësuara të pamundura. Të gjitha veprimet performuese – të hidhesh në zbrazëti me parashutë, të hedhësh vetën me shpejtësi marramendëse ndërsa varesh në një kabinë teleferiku – kërkojnë një shkallë rreziku dhe guximi. Këto aspekte nënvizojnë edhe njëherë vendosmërinë e nevojshme për të arritur qëllime utopike, por mbase edhe më shumë, ato të domosdoshmet për të pranuar mundësinë e dështimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë