Motosport

Drejtori sportiv Mekies lë Ferrarin dhe bëhet numri 1 i Alpha Taurit

Gazeta Si – Lajmi ishte bërë i ditur më parë, tani është zyrtarizuar. Laurent Mekies largohet nga Ferrari për t’u bërë drejtuesi kryesor i Alpha Taurit.

Inxhinjeri francez, drejtor sportiv i skuderisë nga Maranelo, do të marrë vendin e Franz Tost. Për Mekies është një rikthim në skuadrën italiane, pas largimit në 2014-ën, kur ai u fut në FIA. Nga 2018-a punonte te Ferrari.

Laurent Mekies. Gazeta Si, 27 prill 2023

Është një hap i ri në karrierë për Mekies. “Para së gjithash dua të falënderoj Franz për punën e madhe që ka bërë për gati dy dhjetvjeçarë. Duke parë nga e ardhmja, jam i nderuar të marr detyrën e ‘Team Principal’ dhe të kthehem në skuderinë, ku kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës. Alpha Tauri ka gjithë mundësitë për më shumë sukses në të ardhmen”, – tha Mekies.

Alpha Tauri ka njoftuar edhe bashkëpunimin me Peter Bajer, i cili do të jetë administratori i deleguar. Së fundi Bajer ka mbajtur postet e drejtorit ekzekutiv të F.1 dhe sekretarit të përgjithshëm për sportet automobilistike pranë FIA-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë