Gjykata ka vendosur masën e sigurisë 40 ditë burg për drejtorin e shkollës të fshatit Stropckë në Pogradec, i cili u arrestua dhe pezullua nga detyra me akuzën e ngacmimit seksual të dy nxënëseve të mitura.
Gjykata i ka lënë prokurorisë afat 40 ditë për të plotësuar dosjen me akuzat për Adriatik Haxhillarin, drejtor i shkollës 9-vjeçare “Demokracia”.
Haxhillari nuk i ka pranuar akuzat që janë ngritur kundër tij duke i mohuar në gjykatë gjatë seancës. Ai i ka kundërshtuar ato duke thënë se akuzat janë të pavërteta.
Edhe familjarët e 59-vjecarit i mohojnë këto akuza, duke thënë se është i pafajshëm.
“Ai është i pafajshëm, e kanë futur vajzat (nxënëset) në kurth”, thanë disa prej familjarëve jashtë kamerave.
Seanca u mbajt me dyer të mbyllura për shkak të çështjes në gjykim. 59-vjeçari Adriatik Haxhillari akuzohet për veprën penale të “ngacmimit seksual” ndaj dy 14 vjeçareve.
Dyshohet se prej dy javësh ai i kishte dërguar njërës prej tyre mesazhe telefonike natën. Gjyshja e njërës prej vajzave, pohoi për mediat se mesazhet përmbanin fjalë të turpshme. Ajo tha se ata njerëz që bëjnë këto gjëra duhet të ndëshkohen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




