Treg

Drejtori i Shell: Europa rrezikon mungesë karburanti në prill

Nga Gazeta ‘Si’– Europa mund të përballet me mungesë energjie dhe karburanti që muajin e ardhshëm, nëse nuk rihapet Ngushtica e Hormuzit, ka paralajmëruar drejtori ekzekutiv i Shell.

Kreu i një prej kompanive më të mëdha të naftës në Europë tha se po bashkëpunon me qeveritë për të përballuar krizën e furnizimit me naftë dhe gaz, e cila tashmë ka çuar në kufizime të energjisë në disa vende të Azisë.

Çmimet e naftës ranë në rreth 100 dollarë për fuçi të mërkurën, nga rreth 114 dollarë në fillim të javës, pas raportimeve se Shtëpia e Bardhë ka dërguar një plan paqeje me 15 pika drejt Iranit.

Megjithatë, pa rifillimin e furnizimeve me naftë bruto nga Gjiri Persik drejt tregjeve globale përmes Ngushticës së Hormuzit, Europa mund të përballet me mungesa të karburanteve fosile brenda pak javësh, sipas Wael Sawan.

Ai i bëri këto deklarata në një konferencë të industrisë së energjisë në Houston, Teksas, ku theksoi: “Azia Jugore ishte e para që ndjeu goditjen. Më pas kjo u zhvendos në Azinë Juglindore, në Azinë Verilindore dhe më pas edhe në Europë, ndërsa afrohemi drejt prillit.”

Sawan tha se kriza, tashmë në javën e katërt, ka ndikuar furnizimin me karburant avionësh i cili është dyfishuar në çmim që nga fillimi i konfliktit ndërsa më tej mund të preken nafta dhe më pas benzina, sidomos me nisjen e sezonit të udhëtimeve verore në SHBA dhe Europë.

Paralajmërime të ngjashme u dhanë edhe nga ministrja e ekonomisë së Gjermanisë, Katherina Reiche, e cila tha se mungesa e energjisë mund të ndodhë në fund të prillit ose në maj, nëse konflikti vazhdon.

Ajo shtoi se vendimi i Gjermanisë për të hequr dorë nga energjia bërthamore ishte një gabim i madh dhe se importet më të mëdha të gazit nga jashtë do të jenë pjesë e zgjidhjes.

Kërcënimi për furnizimet energjetike të Europës mund të çojë në një recesion të zgjatur global, nëse çmimi i naftës arrin në 150 dollarë për fuçi, sipas drejtuesit të kompanisë financiare BlackRock. Në një intervistë për BBC, Larry Fink tha se nëse Irani “mbetet një kërcënim” dhe çmimet e naftës qëndrojnë të larta, kjo do të ketë pasoja të thella për ekonominë botërore.

Edhe pse është herët për të përcaktuar përmasat e plota të konfliktit, Fink përmendi dy skenarë: një zgjidhje e plotë që do të kthente çmimet e naftës në nivelet para krizës prej rreth 70 dollarësh për fuçi, dhe një tjetër ku konflikti do t’i çonte çmimet në nivele rekord.

Në skenarin e dytë, çmimet mund të qëndrojnë për vite mbi 100 dollarë për fuçi, duke arritur deri në 150 dollarë, gjë që do të sillte pasoja të rënda për ekonominë dhe një recesion të thellë./ The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë