Analize

Drejtor i Përgjithshëm Policie? Dashuri në fillim, urrejtje në fund

Gazeta Si – Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë Shqiptare spikasin për dorëheqjet e befta që gjithnjë lënë dyshime të forta. Nga ish-drejtorët e policisë, vendin e parë për kohë qëndrimi më të shkurtër, e mban Veton Gjoliku, i cili e mbajti këtë post vetëm dy muaj nga nëntori 1998 deri më janar 1999.

Ai u dorëhoq për shkaqe personale. E megjithatë, ishte e qartë se ai e pati karrierën kaq të shkurtër pas mosmarrëveshjeve me ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Petro Koçi.

E trazuar ka qenë edhe karriera në polici e atyre që e pasuan, megjithëse u tentua që policia të shkëputej nga ndikimi politik dhe për këtë arsye selia e saj u shkëput nga godina e Ministrisë së Brendshme, ku qëndronte, për t’u vendosur në ndërtesën e ish-hotel Arbanës, ku dhe vijon të ketë zyrat qendrore.

Bilbil Mema, ish-drejtor i Policisë së Shtetit deri në verën e 2002-it

Veli Myftari qëndroi po ashtu pas Veton Gjolikut vetëm një vit dhe u largua po me dorëheqje dhe më pas madje ai pati fatin e keq që iu nënshtrua edhe hetimit penal së bashku me një ish-zëvendës ministër të Brendshëm për skandalin e pasaportave, një çështje për të cilën ish-Drejtori i Përgjithshëm u arrestua.

Lufta më e madhe ministër-zyrtar policie, ndodhi midis Bilbil Memës dhe eprorit të tij si ministër, Ilir Gjonit, pasi nisi në atë kohë operacioni për pastrimin e  Shqipërisë nga mjetet lundruese.

Në atë kohë Mema, i cili qëndroi deri në verën e 2002-it, pra në kulmin e aksionit antiskaf, e mbajti detyrën vetëm 1 vit e nëntë muaj.

Ai u pezullua dhe u shkarkua nga ish-kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano, ndërsa më vonë fitoi të drejtën në gjyq dhe nga drejtor i Akademisë së Sigurisë, Mema tani mban detyrën e këshilltarit të ish-drejtorit Gledis Nano (i saposhkarkuar).

Ish-kreu i Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj

Jetë të gjatë në detyrë kishte Bajram Ibraj, i cili mbajti postin e numrit një të policisë për më tepër se katër vjet dhe që kaloi katër ministra si Gjoni, Stefan Çipa, Luan Rama, Igli Toska.

Ai u përplas me ish-ministrin e Rendit, Igli Toska, pasi disa zyrtarë policie të përfolur u larguan me dalje në reformë.

Reformën në polici e aplikoi edhe i ndjeri Sokol Olldashi, i cili kërkoi largime nga detyra të të gjithë atyre të diplomuarve në Shkollën “Skënderbej” dhe që statusi i tyre ishte i paqartë, pasi konsideroheshin të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit.

Ndonëse i nxori në dispozicion, pjesa dërrmuese e tyre u kthyen sërish dhe vazhdojnë të jenë në polici.

Ahmet Prençi, ish-drejtor i Policisë së Shtetit nga 2007 deri në vitin 2009

Në atë kohë, Policia e Shtetit, drejtohej nga Ahmet Prençi, i cili e mbajti këtë post nga 2007 deri në 2009-n, edhe ai duke dhënë dorëheqjen si paraardhësi i tij.

Nga vëzhgimi i Gazetasi.al, kuptohet se shumica e liderëve të policisë, përdorën dorëheqjen si mjet negocimi me qeverinë e kohës, në mënyrë që mos të digjeshin si karta.

Hysni Burgaj qëndroi pothuajse tre vjet dhe me ndërrimin e qeverive nga Berisha në qeverinë Rama (mandati i parë), ishte e qartë që edhe ai nuk e kishte të gjatë.

Hysni Burgaj

Por Burgaj dha dorëheqjen dhe qëndroi në detyrë fare pak kohë kur ministrinë e mori si stafetë Saimir Tahiri (aktualisht në burg).

Dorëheqja e tij ishte e imponuar dhe e kërkuar dhe i njëjti fat e ndoqi edhe Artan Didin, një oficer karriere që qëndroi në detyrë vetëm një vit e shatë muaj dhe që dorëzoi dorëheqjen gjatë 2015-s për t’u zëvendësuar me Haki Çakon.

Ky i fundit qëndroi në detyrë me të njëjtin ministër, Saimir Tahirin dhe u përfol për skandalin e “imsi catcher” (pajisja e përgjimit: një çështje për të cilën një oficer i policisë shqiptare fitoi azilin në Kanada).

Artan Didi

Ai e mbajti detyrën pothuajse tre vjet dhe me ardhjen në krye të ministrisë së Brendshme të Fatmir Xhafajt dhe daljes së lajmit se ishte dorëhequr (e njëjta skemë si për Nanon), Çako u dorëhoq nga posti.

Edhe kjo dorëheqje u pa si negociatë me qeverinë, e cila i dha një tjetër detyrë të rëndësishme, ku dhe vijon të qëndrojë.

Fatmir Xhafaj punoi si ministër i Brendshëm dhe pati marrëdhënie të mira me Ardi Velin, që e mori nga drejtor i Tiranës dhe e katapultoi si Drejtor të Përgjithshëm, pavarësisht mungesës së gradës përkatëse të tij.

Por marrëdhënia e tyre u kris pas operacionit në Shijak, ku dhe u tha se Veliu e tradhtoi eprorin e tij dhe pas 100 ditëve që i la si afat kryeministri Rama, edhe ai u dorëhoq.

Ardi Veliu

Ishte koha e krimeve që nuk po ndaleshin dhe në 5 tetor 2021, me një dorëheqje plot gabime drejtshkrimore, edhe Ardi Veliu e la detyrën, në një kohë që kjo “dorëheqje” u pa si plotësim dëshire për qeverinë, e cila firmosi me një tjetër Drejtor të Përgjithshëm (Gledis Nano), edhe ai jetëshkurtër deri ditën që nuk pranoi ta linte stafetën.

Kushdo që do ta marrë detyrën, e sigurt është që edhe ai do të jetë një i dorëhequr ose i shkarkuar.

Asnjë Drejtor i Përgjithshëm nuk ka qëndruar me mandatin e numrit një të policisë dhe marrëdhëniet e tij kanë qenë të mbushura me dashuri në fillim dhe urrejtje në fund.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë