Politike

‘Drejton një linjë të kokainës’. Ish-kryespiuni rumun bëhet këshilltar i Ramës, Gazment Bardhi kërkon interpelancë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar se, kryeministri Edi Rama, në mungesë transparence, sipas tij, ka emëruar si këshilltar të jashtëm ish-kreun e shërbimit sekret të Rumanisë, Florian Coldea.

Sipas Bardhit, ish-agjenti rumun është nën hetim për korrupsion dhe dyshohet se është drejtuesi i një linje të trafikut ndërkombëtar të kokainës.

“Edi Rama pa asnjë transparencë ka emëruar si këshilltar të jashtëm Florian Coldea, ish drejtor i Shërbimit Sekret Rumun. Ish agjenti sekret rumun është nën hetim për korrupsion, si dhe është referuar si drejtuesi i një linje trafiku ndërkombëtar të kokainës, që transportohej nga Meksika në Shqipëri dhe më pas nga Shqipëria në Rumani.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kam kërkuar zyrtarisht një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama, i cili duhet të bëjë transparencë për Kuvendin dhe qytetarët shqiptar: (1) Si është njohur me këshilltarin e tij të jashtëm Coldea dhe a ka cenuar kjo sigurinë kombëtare për shkak të funksionit të tij si punonjës i shërbimeve të huaja sekrete; dhe (2) Cili ka qenë roli i z. Coldea dhe çfarë veprimtarie këshillimi konkretisht ka kryer ai për Kryeministrin e Shqipërisë dhe për të cilën është paguar më taksat e shqiptarëve, ndërkohë që udhëhiqte një linjë të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Shqipëria në Rumani”, thotë Bardhi përmes një postimi në Facebook

Referuar kerkesës për interpelancë, Bardhi i referohet mediave rumune te cilat kane shkruar se ish-agjenti rumun paguhej si këshilltar i jashtëm i kryeministrit me pagë 7 mijë euro në muaj.   

“...Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të kërkojë edhe zyrtarisht nga SPAK të hetojë rolin e Këshilltarit të Jashtëm të Edi Ramës në Shqipëri dhe sesi ka ndikuar marrëdhënia e tij me Edi Ramën për realizimin e veprimtarive të dyshuara kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Meksika në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Rumani”, shkruan Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë