Gazeta Si – Një grua 66-vjeçe është gjetur e vdekur nga i ftohti nga familjarët e saj në në fshatin Ferras të Fierit, teksa asaj i ishte ndërprerë edhe energjia elektrike për shkak se ishte debitore prej thuajse dy muajsh. Të afërmit e viktimës thonë se e moshuara Liliana Sema jetonte e vetme dhe në kushte të vështira ekonomike. Vdekja e dhimbshme e gruas ka sjellë reagimin e OSHEE-së, e cila ka deklaruar se shtëpia të cilës i janë prerë dritat, ka qenë e braktisur dhe debitore. Ndërsa zyra e Komisionerit kundër Diskriminimit ka thënë se OSHEE duhet të garantojë furnizimin me energji të atyre personave që nuk kanë mundësi ta paguajnë atë dhe të mos i diskriminojë ata.
66-vjeçarja kishte në fakt tri ditë që kishte ndërruar jetë, teksa është gjetur e ngrirë nga i vëllai i saj.
“E gjetëm të ngrirë nga ftohja. Kishte 10 ditë që ia kishin prerë dritat, ajo nuk kishte lekë të paguante. Këtu janë biznesmenë e nuk paguajnë, ndërsa motrës time ia prenë”, – thotë i vëllai i saj, Baçi Gjoleka.
Djali i viktimës thotë se nëna e tij trajtohej me një pension 7000 lekë, ndërsa nuk e di shkakun e shkëputjes së furnizimit me energji nga OSHEE. “Mamaja ime ishte me pension 7 mijë lekë. Ajo i ka paguar dritat deri në dhjetor, por ata thonë se nuk i ka paguar”.

Liljana Sema jetonte në kushte të vështira ekonomike dhe në një ndërtesë të rrënuar, ndërsa sipas vetë familjarëve të saj, dyshohet se ka ndërruar jetë 3 ditë më parë. Ajo ka tre fëmijë, dy prej të cilëve jetojnë në Itali dhe një djalë i cili jeton në një qytet tjetër larg Fierit.
I biri tregoi se vetëm disa kohë më parë i kishte blerë një ngrohëse për ditëlindje, por as atë nuk kishte një prizë ku mund ta vinte. Motra e Liljanës, pohon për kushtet e vështira në të cilat ajo jetonte, duke mos pasur askënd që t’i vinte në ndihmë.

OSHEE në Fier: Ishte debitore, banesa ka qenë e mbyllur
Drejtori i OSHEE në Fier, Arjan Fasko, ka thënë se kontrata për objektin ku banonte zonja ishte debitore. Sipas tij, në banesën në fjalë nuk ka jetuar njeri dhe këtë e kanë raportuar punonjësit që merren me matjen e sahatëve të energjisë elektrike.
“Kontrata që furnizonte objektin ku pretendohet se banonte zonja, është debitore dhe ka qenë për një periudhë të gjatë. Në vitin 2018 ka lidhur një aktmarrëveshje që e ka ndërprerë në janar 2020, është bërë aktive në muajin mars dhe është ndërprerë sërish në tetor 2020. Pra ka mbi një vit me kontratën e energjisë elektrike të ndërprerë. Punonjësi i OSHEE që bën leximin e matësit, ka deklaruar se është objekt i mbyllur dhe nuk jeton njeri, pasi e ka gjetur banesën të mbyllur. Nuk kemi asnjë kërkesë nga asnjë familjar apo i afërm për lidhje të energjisë në këtë periudhë”, thotë Fasko.

KMD: Ndëprerja dhe mosfurnizimi me energji përbën diskriminim
Ndërkohë, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ka ndërmarrë disa veprime institucionale, me vendime, rekomandime dhe duke kryer studime të cilat theksojnë se energjia elektrike është shërbim thelbësor që duhet të garantohet për çdo person në Republikën e Shqipërisë, në mënyrë që për çdokënd të garantohet një jetesë dinjitoze.
“Mosgarantimi i energjisë elektrike për personat dhe familjet e pamundura ekonomikisht, cenon dinjitetin e tyre, duke i mohuar të drejtën për shëndet, të drejtën për strehim, të drejtën për arsim, të drejtën për informim, të drejtën për të qenë qytetarë me të drejta të barabarta”, thuhet në deklaratë.
KMD i bën thirrje Këshillit të Ministrave, që të miratojë sa më shpejt “Statusin e Klientit në Nevojë”, si një e drejtë tashmë e njohur me Ligj.
Gjithashtu, KMD i bën thirrje OSHEE-së dhe të gjitha agjencive përbërëse të saj që të mos ndërpresin energjinë elektrike në asnjë moment dhe të garantojnë furnizimin me energji elektrike në çdo moment për të gjitha familjet e pamundura pa diskriminim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




