Teater

Drama “Nëna” në Teatrin Kombëtar Eksperimental

Ka nisur të shfaqet në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” drama e Florian Zeller, “Nëna”, me regjinë e të mirënjohurit Mehmet Xhelili. Shfaqja interpretohet nga Ema Andrea, Helidon Fino, Xhuliano Brisku e Enisa Hysa. Në ArTurbina, shfaqja do të jepet për 4 net rresht, deri në 28 janar.

Shfaqja “Nëna”, e cilësuar nga autori i saj Florian Zeller si një farsë e zezë, ofron me mprehtësi të jashtëzakonshme dhe na ballafaqon, më shumë sesa një histori, me një përvojë që krijohet nëpërmjet saj.

Në qendër të shfaqjes qëndron drama e nënës, me sëmundjen, krizën dhe dhimbjen e saj, por edhe personazheve të tjerë që e shkaktojnë apo janë viktima të saj.

Dashuria amtare për të birin, largimi i të cilit nga shtëpia, përjetohet si tradhëti dhe nga devijimet e mundshme patologjike që e shoqërojnë. Kësaj situate i shtohet paralelisht një martesë e cila për këto arsye e të tjera është duke pësuar dekadencën e saj.

Mesazhet e fuqishme të veprës, artikulojnë jo përgjigjen, por pyetjen ekzistenciale që nëna klith në fund të pjesës: Përse u desh të ndodhte kështu?! /ata


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë