Futboll

Drama e Olga Karmonës, goli në finalen e Botërorit dhe pastaj lajmi për vdekjen e të atit

Gazeta Si – Dhimbja më e madhe në ditën e gëzimit të jashtëzakonshëm. Olga Karmona, menjëherë pas finales së Botërorit të futbollit për femra ndaj Anglisë, që u vendos nga një gol i saj, mësoi lajmin e vdekjes së babait.

Olga Karmona, kapitenja e Spanjes. Gazeta Si, 21 gusht 2023

Lajmi është bërë i ditur nga Federata Spanjolle e Futbollit, që shpjegon se futbollistja u informua pas ndeshjes dhe pas ceremonisë së marrjes së medaljeve (ajo u shpall edhe lojtarja më e mirë e finales).

Nuk janë bërë të ditura shkaqet e vdekjes së babait të lojtares dhe as koha e saktë kur kishte ndodhur ngjarja. Karmona zbriti në fushë në Sidnei pa ditur asgjë. Me shiritin e kapitenes në krah, ajo udhëhoqi skuadrën ashtu si në gjysmëfinale, ku gjithashtu kishte shënuar një gol të rëndësishëm.

Në intervistën pas ndeshjes, kur ende nuk e kishte mësuar lajmin, Karmona tha se ia dedikonte golin nënës së një shoqes së saj që kishte humbur jetën. “Të duam, Olga, je historia e futbollit spanjoll”, – shkruante Federata Spanjolle e Futbollit pas lajmit të trishtë. Edhe Real Madrid, klubi ku luan futbollistja 23-vjeçare e lindur në Sevilje, ka postuar një mesazh ngushëllimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë