Futboll

Drama e Idrizajt në derbi, dëmtimi ia mbyll sezonin që në mars

Përballja Tirana-Partizani mbrëmjen e shkuar, e vlefshme për javën e 24-të të Superligës Shqiptare nuk ka prodhuar asnjë fitues. Por përveç humbjes së dy pikëve, për Partizanin mbrëmja e djeshme ka prodhuar edhe një tjetër lajm të keq. Mbrojtësi i afruar në merkaton e dimrit nga Kamza, Hektor Idrizaj ka pësuar një dëmtim shumë të rëndë.

Ishte minuta e 57’ kur pas përplasjes këmbë më këmbë mes Eni Imamit dhe Hektor i Idrizajt, ky i fundit u shtri dhe po fillonte të kishte dhimbje të forta. Nuk u mendua se ishte një dëmtim serioz dhe më shumë dukej si një stimulim i mbrojtësit 29-vjeçar në pamje të parë. Por vetëm pak sekonda kaluan dhe u pa që Idrizaj kishte pësuar një dëmtim goxha të rëndë. Pamjet e para treguan për një dëmtim në gju dhe pas rezonancës magnetike të kryer menjëherë mbrëmjen e së premtes, u konstatua se Idrizaj kishte thyer kupën e gjurit. Dëmtimi trishtoi shumë tifozët, por më tepër trajnerin Skënder Gega që u detyrua që të hidhte në fushë Renaldo Kalarin.

Menjëherë pas mbylljes së ndeshjes, trajneri Skënder Gega, futbollistë dhe drejtues të klubit të kuq, kanë vizituar mbrojtësin Hektor Idrizaj. Përmes një njoftimi të shpërndarë në rrjetet sociale, Partizani bën me dije se Idrizaj aktualisht gjendet i shtruar dhe pas rezonancës magnetike ka rezultuar se ka thyerje të kupës së gjurit të djathtë. Mbrojtësi i kuq do ti nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale shumë shpejt.

Në fund nuk mungon edhe një urim për Hektor Idrizajn që të shërohet dhe të rikthehet sa më shpejtë në fushën e lojës. Me gjithë dëshirën e mirë të klubit, sezoni për mbrojtësin 29-vjeçar është mbyllur këtu dhe ai mund të bëhet gati vetëm për ndeshjet në Kupat e Europës gjatë verës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë