Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj mblodhi deputetët për të diskutuar për procedurën e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.
Nga 52 deputetë që ka grupi parlamentar demokrat (pa aleatët), ftesës së Alibeajt iu përgjigjen 21 deputetë, ndërsa deputetët e Komisionit të Rithemelimit dhe ata me të distancuar nga të dyja palët nuk kanë marrë pjesë.
Deputetët që morën pjesë janë po të njëjtën që iu përgjigjen Alibeajt edhe mbledhjes së parë javës që kaloi.
Një ditë para mbledhjes, Enkelejd Alibeaj u ka shpërndarë deputetëve një draft me kriteret dhe formulën e zgjedhjes së Presidentit.
Ai vë në dukje faktin se drafti nuk është përfundimtar dhe mund të ndryshojë në varësi të propozimeve të deputetëve.
Drafti me disa pika i hartuar nga Alibeaj është kundërshtuar me forcë nga Komisioni i Rithemelimit duke e quajtur tradhti ndaj PD-së dhe pjesë e marrëveshjes që Alibeaj ka lidhur bashke me Bashën dhe kryeministrin Edi Rama.
Por edhe deputetë që kanë qëndruar më të distancuar si Ervin Salianji nuk e kanë mirëpritur draftin me argumentin se përmbajtja e saj nuk është konsultuar me askënd dhe se i shkon pas në përmbajtje avazit të kryeministrit Edi Rama.
Nderkohe, Gazment Bardhi tha në mbledhjen e grupit parlamentar “Kur ne kërkojmë që opozita të propozojë presidentin jemi ne të shitur. Kur “Rithemelimi” kërkon që opozita të propozoje presidentin janë opozitë.
Sigurisht që deputetët do marrin pjesë në proces, jo disa që s’janë bërë deputete dhe nga xhelozia thonë që presidentin e propozon Këshilli Kombëtar i PD. Nëse ka kërkesa që të jete nga politika atëherë PS do thotë nëse duhet nga politika përse duhet filani nga PD dhe jo nga PS.
Kriteret janë parimore dhe ndërtojnë një figure presidenti dinjitoz. Por nëse pranohet kriteri për të qenë në politike e pranojmë. Kriteret mund te diskutohen por një gjë është që ne kërkojmë ta propozoje opozita dhe këtu duhet të qëndrojmë”, tha ai.
Në fund të mbledhjes me deputetët Alibeaj tha se duhet pjesëmarrje substanciale e opozitës në procesin për zgjedhjen e presidentit.
Ai nënvizoi se në mbledhjen e të hënës është rënë dakord për një president anti-komunist, porse drafti nuk është final.
“Lidhur me draftin do bëj disa sqarime. Ai është një draft që ka sintetizuar sugjerimet e secilit deputet. Është e udhës për këdo që të ketë mundësinë, kohën për të studiuar çështjen dhe për të dhënë sugjerimet. Ajo që unë e kam thënë në titull personal dhe deputetët e thanë fort. Kjo maxhorancë nuk ka legjitimitetin për të vendosur për presidentin e republikës.
Ka tre deputetë non grata, ka dy deputetë pas hekurave. Ka raportin e DASH. Kjo situatë duhet të bëjë të mendojë këdo. Kjo çështje fillon e ngre krye në raste si kjo kur duhet të marrin pjesë për të përfaqësuar së paku gjysmën e shqiptarëve. Me ndjenjën e lartë të përgjegjësisë deputetët ranë dakord që të marrin pjesë në proces. E para për të hequr çfarëdo lloj gjurme të hidhur të së shkuarës për të cilat jemi bërë disa herë pishman. Pse nuk morën pjesë në reformën zgjedhore dhe territoriale. Është e qartë për secilin nga ne për shkak të vitit 2008, që në raundin e katërt dhe të pestë që presidenti zgjidhet me 71 vota.
Duhet pjesëmarrje substanciale e opozitës në tre raundet e para.
Së treti ajo që është më e rëndësishme, këtu ndjej edhe një kënaqësi personale. Ata që ishin aty kanë një kusht të panegociueshëm. Presidenti i Republikës i Shqipërisë që duhet të zgjidhet qëndron në faktin që duhet të jetë një anti komunist.
Ky vend pas 30 vitesh nëpërkëmbje, duhet së pari të japë një shenjë të fortë energjike që presidentin ta ketë anti komunist. Kjo është çështja që ka turbulluar shumë mendje”, tha Alibeaj. Ai sqaroi gjithashtu se të martën merr pjesë ne Konferencën e kryetarëve si kryetari i grupit parlamentar i PD-së dhe jo për ndonjë negociatë.
Deputetët e pranishëm
Kreshnik Collaku
Zheni Gjergji
Bledjon Nallbati
Dashnor Sula
Arbi Agalliu
Gazment Barshi
Dhurata Cupi
Saimir Korreshi
Eralda Bano
Merita Bakiu
Ferdinand Xheferraj
Kastriot Piroli
Ilda Dhori
Lefter Geshtenja
Lindita Metaliaj
Flamur Hoxha
Seladin Jakupllari
Enkelejd Alibeaj
Emilja Koliqi
Orjola Pampuri
Andia Ulliri
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.