Ngjarje

Drafti për ‘Policinë e Shtetit’, shoqëria Civile: Duhet transparencë në procedurat e shoqërimit, qytetari nuk ankohet dot në gjykata  

Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi të martën seancë dëgjimore me grupet e interesit në lidhje me projektligjin “Për Policinë e Shtetit”, të propozuar nga qeveria.

Ahmet Prençi, Komisioner për parandalimin e torturës pranë Avokatit të Popullit, tha se duhet të përmirësohet mënyra e shoqërimit të qytetarëve, ku kërkoi përmirësimin e infrastrukturës dhe transparencës.

“Janë dy momente që lidhen me të drejtat e njeriut dhe qytetarëve, që duhen përmirësuar në ligj. Së pari, momenti i shoqërimit. Është shumë e rëndësishme që ky moment të dokumentohet qartë dhe jo siç ka ndodhur deri më sot. Shoqërimi i një personi, duhet të shoqërohet me proces verbal të saktë për shoqërimin e qytetarit, ashtu siç ndodh në rastet e arrestimit në flagrancë, duhet një proces verbal, ku saktësohet shoqërimi, arsyeja, koha e shoqërimit, koha e mbajtjes në rajon, komisariati dhe sjellja dhe të gjitha detajet e tjera, pasi qytetari duhet të ketë letër në duar për të ankimuar shqetësimin që mund të ketë për trajtimin që është rezervuar”, tha Prençi.

“Nga inspektimet që ka bërë komiteti i BE për parandalimin e torturës, kemi parë që ambientet e pyetjes së qytetarëve, njësitë policore, nuk janë akoma të pajisura me infrastrukturë, që ky proces të shoqërohet me kamera, mikrofona, që të ketë dhe dokumentin me video dhe audio të ndalesës. Kjo ndihmon, që kur qytetarët ankohen të kenë mundësi që të verifikohet se çfarë veprimesh konkrete ka kryer punonjësi i policisë me këtë person të shoqëruar, ndaluar apo të arrestuar”, tha ai.

Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Nasip Naço tha se ligji është përmirësuar. “Ka përmirësime ligji. Nga 12-orë ka qenë ligji ekzistues, në këtë draft të ri, është bërë deri në 5 orë”, u shpreh Naço.

Sotiraq Kroni, Drejtor ekzekutiv i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, tha se Policia e Shtetit duhet të ketë një pavarësi më të madhe nga politika, ndërsa shprehu sugjerimet e tij për mënyrën emërimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

“Një nga pikat që është shqetësim është çështja e lidhjes mes policisë së Shtetit dhe politikës, duhet më shumë pavarësi. Këtu mund të flasim edhe për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm”, u shpreh Kroni.

“Në variantin e parë të draftligjit, thuhej shprehimisht se do ketë një konkurs për drejtor të përgjithshëm dhe ministri ngre një strukturë ad hock, që i dërgon ministrit kandidaturat dhe është ministri që miraton kandidaturën. Ne kemi sugjeruar që mos të jetë ministri që emëron, por kemi sugjeruar që të jetë modeli i Kosovës. Pra, pjesë e kësaj strukture duhet të jenë përfaqësues nga ministria e Brendshme, por të paktën 3 kandidatura, pra shumica të jenë aktorë të jashtëm, siç mund të ishte nga akademia, shkolla e magjistraturës, apo prokuroria, apo sindikata e punonjësve të policisë, apo shoqërisë civile. Po ashtu, kemi sugjeruar dhe një variant tjetër, ku Drejtori i Përgjithshëm të emërohet me parimin check and balance, nga Presidenti i Republikës dhe emërimi dhe shkarkimi i tij, siç ndodh tek Forcat e Armatosura”, tha Kroni.

Ai shtoi se korrupsioni dhe integriteti i punonjësit të Policisë së Shtetit është një tjetër shqetësim.

Ai tha se duhet më shumë transparencë nga organizata e Policisë së Shtetit. “Duhet të hartohet plani i integritetit, që të shpërndahet në të gjitha komisariatet e policisë dhe strukturat vendore të organizatës së Policisë së Shtetit”, tha Kroni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë