Gazeta Si – Altin Dumani ka thënë se Kodi i ri Penal ka nevojë për ndryshime, por theksoi se SPAK nuk është i përfshirë në grupin e punës për draftin e ri të paraqitur pak ditë më parë nga qeveria.
Megjithatë, gjatë takimit informal me gazetarët, ai theksoi se ka parë qëndrimin e Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela dhe “në shumë pika bie dakord me të”.
Më pas, Dumani foli edhe mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndalimin e sekuestrimit të telefonave pa një urdhër gjykate, duke i dhënë fund kështu një prej praktikave të ndjekura nga SPAK. Ai tha se SPAK është i detyruar të zbatojë vendimin e Kushtetueses.
Sa i takon Kodit të ri Penal, ai shpjegoi se SPAK-u do ta japë qëndrimin e tij në momentin që të njihet zyrtarisht me draftin. Mes debatit për Kod të ri Penal apo ndryshimeve në këtë aktualin, kreu i Prokurorisë së Posaçme është i mendimit për të dytin.
Ai foli për ndryshime sa i përket marzhit të dënimit për shitjen e narkotikëve. Sipas tij, ajo nuk mund të jetë njësoj si me drogat sintetike që janë më të rrezikshme për jetën e njeriut.
“Normalisht që priten debate dhe diskutime përsa i përket Kodit Penal. Debati i parë që duhet të ishte bërë nëse nevojë për një Kod të ri Penal, apo duheshin bërë ndryshime në kodin aktual. Unë mendoj që duhen bërë ndryshime në Kodin Penal, pasi për shitje narkotikësh, duhet të ndryshohet vepra pasi nuk mund të ketë të njëjtin marzh dënimi si kanabisi, droga sintetike dhe kokaina. Mendoj që marzhin më të lartë duhet ta kenë dorgat sintetike, që janë me të rrezikshme për jetën e njeriut. Në ende s’e kemi marrë zyrtarisht, kur ta kemi, do e analizojmë dhe do japim qëndrimin tonë në lidhje, ne nuk jemi përfshirë në grup pune”, tha Dumani.
Ditët e fundit, kryeprokurori Olsian Çela ka theksuar se kodi aktual i përgjigjet nevojave të shoqërisë.
Çela deklaroi se as Prokuroria e Përgjithshme nuk është përfshirë në hartimin e draftit, ndërsa u shpreh se më shumë se Kod Penal, vendi ka nevojë urgjente për ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale. Kundër Kodit të ri Penal ka dalë edhe Dhoma e Avokatisë.
Vendimi i Kushtetueses për celularët
Gjatë takimit informal me gazetarët, Dumani u përgjigj edhe për vendimin më të fundit të Gjykatës Kushtetuese për rastin ndaj qytetares Oneida Ymeri, ku përpilohej se nuk mund të ketë më sekuestrim celularësh pa vendim gjykate. Dumani nuk preferoi të zgjatej në shpjegim, ndërsa tha se do të respektojnë vendimin.
“Nuk komentojmë, jemi të detyruar ti zbatojmë”, tha shkurt ai. Dy ditë më parë, Kushtetuesja hodhi poshtë praktikën e SPAK lidhur me sekuestrimin e celularit të Ymerajt, e cila është një drejtuese spitali privat në Tiranë. Sekuestrimi u bë në kuadër të hetimeve për ish-zv.kryeministrin në arrati Arben Ahmetaj.
Në vendim, gjykata shprehet se në rastin konkret do të vijojnë të mbahen nën sekuestro vetëm kopjet që lidhen me hetimin penal, duke ia nënshtruar kontrollit gjyqësor.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, në një vendim gjykate që lejon kontrollin e banesës dhe të personit, duhet të përcaktohet paraprakisht se cilat sende lejohen të sekuestrohen.
Prokuroria, zakonisht, bën kërkesë për pajisje si kompjuterë, laptopë, hard disqe, USB, telefona – pavarësisht se kujt i përkasin, por duhet të arsyetohet lidhja e tyre me një vepër penale konkrete.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



