Nga Gazeta ‘Si’- Partia Socialiste hodhi në diskutim në Konferencën e Kryetarëve dy draftet finale për ngritjen e dy komisioneve të posaçme, përkatësisht për Realizimin e Reformës Zgjedhore dhe Reformën Administrativo- Territoriale në Republikën e Shqipërisë.
Komisioni për Reformën Zgjedhore do të ngrihet në barazi opozitë-mazhorancë. Në total komisioni do të ketë 16 anëtarë, 8 nga Partia Socialiste dhe 8 nga partitë e tjera opozitare. Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë një nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike.
Ndryshe nga Komisioni për Reformën Zgjedhore, në Komisionin për Reformën Administrativo- Territoriale, shumicën do ta ketë mazhoranca.
Ky komision parashikohet të ketë 17 anëtarë, 9 përfaqësues të PS, 6 të PD-së, 1 përfaqësues i Aleanca për Ndryshim dhe 1 nga PL.


Kryetari i komisionit është përfaqësues i shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i pakicës parlamentare.
PD është dakord për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, por në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve Gazment Bardhi tha se duhet të presin raportin e ODIHR për zgjedhjet e 11 majit.
“Jemi dakord për ngritjen e komisionit, pasi kjo çështje është një detyrim. Por unë kërkoj që ky komision të ngrihet pasi të kemi raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it. Nuk mund të bëjmë ndryshime, kur jemi në pritje të rekomandimeve dhe sugjerimeve nga ai raport. Pra, propozoj që ngritja e këtij komisioni të bëhet menjëherë pas publikimit të raportit.
Kam edhe një çështje të dytë: Këtu është theksuar se komisioni përbëhet nga 16 anëtarë – 8 nga Partia Socialiste dhe 8 nga partitë e tjera parlamentare. Partitë parlamentare në Kuvend, referuar shpërndarjes së deputetëve, janë rreth 13. Pra, nuk veprohet mbi baza partish parlamentare, por mbi grupe parlamentare. Kjo ka qenë tradita e ruajtur. Sepse, po ta vlerësojmë ndryshe, do të thotë që PS t’i lërë një vend PSD-së, ndërkohë që kjo e fundit nuk është deklaruar në opozitë”, tha Bardhi.
Kjo pikë u miratua me parashikimin që puna të nisë në ditën kur publikohet raporti i OSBE-ODIHR-it.
Gjithashtu, do të rishikohet pika 3, në mënyrë që përfaqësimi në komision të bëhet mbi bazën e grupeve parlamentare dhe jo mbi bazën e partive parlamentar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



