Politike

Draft-raporti i PE për Shqipërinë: Progres në negociata, sfidë lufta kundër korrupsionit

Nga Gazeta ‘Si’- Parlamenti Europian ka publikuar draft-raportin e fundit për Shqipërinë, ku vlerësohet progresi në rrugën drejt integrimit por evidentohen edhe sfidat që kërkojnë reforma më të thelluara.

Sipas draft-raportit, sfidë kryesore për Shqipërinë mbetet sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit.

Projekt-rezoluta konfirmon avancimin e vendit në hapjen e të gjithë grup-kapitujve të negociatave, ndërsa nënvizon se rruga drejt mbylljes së tyre deri në fund të vitit 2027 do të varet nga zbatimi real i reformave në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve demokratike, lirinë e medias dhe reformat socio-ekonomike.

Raporti nënvizon se Shqipëria ka shënuar përparim të dukshëm në procesin e anëtarësimit, duke hapur grup-kapitujt brenda një periudhe relativisht të shkurtër. Eurodeputetët mirëpresin angazhimin politik për të ecur përpara me reformat dhe për të përmbushur kriteret e kërkuara.

Objektivi i përmendur për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 konsiderohet ambicioz, por i arritshëm vetëm nëse reformat zbatohen plotësisht dhe jo vetëm në nivel formal.

Shqetësuese presioni politik ndaj sistemit gjyqësor

Një nga kapitujt më të rëndësishëm të raportit mbetet sundimi i ligjit. Draft-raporti vlerëson përfundimin e procesit të vetingut dhe funksionalizimin e institucioneve të reja të drejtësisë si hapa thelbësorë.

Në veçanti, përmendet roli i (SPAK) në hetimin e korrupsionit në nivele të larta. Megjithatë, raporti shpreh shqetësim për pretendimet mbi presionin politik ndaj sistemit gjyqësor dhe për nevojën e garantimit të pavarësisë së plotë institucionale.

Eurodeputetët theksojnë se qëndrueshmëria e reformës në drejtësi do të matet nga rezultatet konkrete dhe nga mbrojtja e institucioneve nga ndërhyrjet politike.

Korrupsioni, shqetësim serioz

Raporti përshëndet rastet e ndjekjeve penale dhe dënimeve për zyrtarë të lartë, duke i konsideruar ato sinjal pozitiv për funksionimin e sistemit të ri të drejtësisë.

Megjithatë, theksohet se korrupsioni mbetet një problem strukturor dhe se duhet forcim i mëtejshëm i mekanizmave të kontrollit dhe transparencës.

Partitë të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it

Sa i përket procesit zgjedhor, draft-raporti vlerëson se kuadri ligjor ekzistues lejon zhvillimin e zgjedhjeve konkurruese. Megjithatë, nënvizohet nevoja për përmirësim të barazisë në garë, shmangien e përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime elektorale dhe garantimin e një klime politike më pak të polarizuar.

Në këtë drejtim, i bëhet thirrje mazhorancës dhe opozitës që të ndërmarrin një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të zbatojnë plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias përpara proceseve të ardhshme zgjedhore.

Raporti kërkon dialog më konstruktiv mes forcave politike dhe forcim të besimit të qytetarëve në proceset demokratike.

Ky draft-raporti i Parlamentit Europian jep një mesazh të qartë: Shqipëria ka bërë hapa përpara në rrugën drejt BE-së, por thelbi i procesit mbetet zbatimi real dhe i qëndrueshëm i reformave.

Integrimi europian nuk do të varet vetëm nga hapja e kapitujve, por nga konsolidimi i shtetit ligjor, garantimi i pavarësisë së drejtësisë dhe forcimi i demokracisë funksionale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë