Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka raportuar se institucionet financiare bankat dhe jobankat kanë kohë deri më datë 30 maj 2021, të raportojnë të dhënat e klientëve jo rezidentë për “Për Shkëmbimin Automatik të informacionit për Llogaritë Financiare”.
“Të gjitha institucionet Financiare në Shqipëri, përfshirë edhe bankat, janë të detyruara të zbatojnë procedurat dhe masat për përmbushjen e detyrimeve të këtij Ligji (raportimi pranë DPT për llogaritë e konsideruara si të raportueshme, sipas standardit CRS – Common Reporting Standard)”,- thotë njoftimi i DPT-së.
Kjo metodë u krijua në Shqipëri në bashkëpunim me vendet e G20 për të shmangur evazionet fiskale offshore dhe grumbullimet e parave jashtë vendit.
Vendimi kërkon mbledhjen e informacioneve të klientëve në banka dhe jo banka të rezidentëve të huaj apo jo rezidentëve në vend.
Informacioni për t’u shkëmbyer përfshin balancat e llogarive financiare në fund të vitit që raportohet, fitimet kapitale (përfshirë interesat, dividendët, të drejtat dhe të ardhurat nga shitja e aseteve financiare), të raportuara te qeveritë nga institucionet financiare, duke mbuluar llogaritë e mbajtura nga individët dhe entitetet përfshirë trustet dhe fondacionet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.