Shendet

Doza e tretë Pfizer ose AstraZeneca. Të moshuarit rendin për vaksinën, por duhet ‘miratimi’ nga mjeku i familjes dhe nis me 90+

Te qendra e vaksinimit në sheshin “Skënderbje” qëndron i ulur Rizai, një i moshuar mbi 70 vjeç në pritje të dozës së tretë. I moshuari tha për Gazetasi.al se kishte ardhur aty që në orën 10:30 dhe po priste radhën, pasi para tij kishte disa të rinj që do të bënin vaksinën.
“Po pres të bëj edhe dozën e tretë. Erdha pa e pyetur mjekun e familjes se dëgjova se që doza e vaksinës ishte edhe për ata në moshën time. Vaksina është e rëndësishme. Po të jetë e nevojshme do bëj edhe shumë doza”, i tha Rizai Gazetasi.al
I moshuari tregoi se me 2 doza i takon shumë shpesh nipërit e tij dhe do bëjë ç’të jetë e mundur për të mbrojtur shëndetin e tij dhe të tyre.
“Jo dozën e tretë, por edhe shumë doza të tjera bëj,” thotë ai.
Njëjte si Rizai, drejtuesja e qendrës tregon se ka pasur shumë të moshuar në orët e para të mëngjesit.
Komiteti Teknik i ekspertëve përcaktoi në mbledhjen e shkuar se të hënën (1 nëntor) nis vaksinimi me dozën e tretë për personat +60 vjeç, fëmijët +16 vjeç dhe fëmijët e grup moshës 12-15 vjeç të cilët janë me sëmundje kronike.
Interesi ka qenë i lartë edhe në qendrën shëndetësore tek “Air Albania” ku të moshuarit në orët e para të mëngjesit kanë rendur për të marrë dozën e tretë, por janë kthyer mbrapsht. Drejtuesja në qendrën e vaksinimit tregon që vaksinimi i dozës së tretë do të bëhet sipas kategorive dhe fillimisht do të nisë me grup moshën 90+ e më pas do të vijojë edhe me moshat e tjera.

Për sa i përket dozës së vaksinës, ajo i tha Gazetasi.al se personat me sëmundje kronike që kanë bërë dy doza Coronvac do të marrin dozën e tretë Pfizer, ndërsa personat që nuk kanë sëmundje kronike do të marrin vaksinën AstraZeneca.
Sipas saj fasha moshore ka bërë që disa prej të moshuarve që kishin shkuar pa rekomandimin e mjekëve të familjes të ktheheshin pas.
“Ky është udhëzimi aktual që kemi marrë dhe që do vijojë edhe në të gjitha qendrat shëndetësore”, shtoi ajo.
Më herët burime të Gazetasi.al në Institutin e Shëndetit Publik, kanë shpjeguar se do të jenë rreth 600.000 individë që do të marrin dozën e tretë të vaksinës. Deri më tani në vendin tonë janë vaksinuar me dy doza vaksine rreth 44% e popullatës target. Ndërkaq doza e tretë e vaksinës ka qenë në diskutim në shumë vende të botës dhe autoritetet shëndetësore si EMA dhe FDA kanë shpjeguar se doza e tretë duhet të aplikohet tek personat +60 vjeç dhe ata që kanë probleme me imuniteti. Sipas autoriteteve kjo dozë duhet të aplikohet 6 muaj pasi individët kanë bërë dy doza vaksine, këshilla këto që po ndiqen nga shumë vende që kanë nisur dozën e tretë, ndër to dhe Shqipëria.
Ndërkaq kompania Pfizer ka deklaruar të enjten e javës së shkuar se nga një provë e fazës së tretë u tregua një efikasitet i larë i dozës së tretë, duke përfshirë edhe variantin Delta. Studimi me 10,000 pjesëmarrës të moshës 16 vjeç e lart tregoi 95.6% efektivitet kundër virusit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë