Gazeta Si – Dosjet e inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit nuk do të bashkohen, por do të hetohen të ndara nga njëra-tjetra.
Në seancën paraprake për inceneratorin e Fierit, gjyqtarja Flojera Davidhi, rrëzoi kërkesën e avokatëve për bashkimin e dy dosjeve.
Kjo kërkesë është rrëzuar më herët edhe nga gjyqtarja Rudina Palloj, që po gjykon seancën paraprake për djegësin e Elbasanit.
Seanca që zgjati mbi 4 orë u ndërpre me kërkesë të prokurorisë dhe do të vijojë në datën 22 shkurt, kur para Gjykatës do japin pretendimet e tyre edhe 18 personat e tjerë nën akuzë.
Ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako, pretenduan pafajësi në seancën paraprake të zhvilluar në Gjykatën e Posaçme, për dosjen e inceneratorit të Fierit.
Ata akuzohen se janë përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme, e cila i kërkoi Gjykatës që bashkë me dy ish-zyrtarët e lartë, të marrë të pandehur edhe 18 persona të tjerë, mes të cilëve Arben Dervishajn dhe biznesmenin Klodian Zoto.
Lefter Koka tha se hetimi ka baza politike dhe SPAK nuk ka arritur të provojë asnjë nga akuzat e ngritura ndaj tij. Ish-ministri u deklarua i pafajshëm dhe i kërkoi gjykatës të pushojë çështjen.
Ndërsa Alqi Bllako u mbrojt vetë para Gjykatës dhe kundërshtoi gjithashtu të jetë korruptuar, duke thënë se paga e babait në një nga kompanitë që kryente punime në incenerator nuk ka lidhje me detyrën e tij. Bllako i tha Gjykatës se çdo veprim i kryer nga prej tij është i rregullt.
Një ditë më parë, GJKKO vendosi shtyrjen e seancës paraprake edhe për inceneratorin e Elbasanit pasi dëgjoi pretendimet e të pandehurve.
Vendimi nëse dosja do të kalojë apo jo për gjykim do të merret në 21 shkurt. Për inceneratorin e Fierit, gjykata ka marrë 20 të pandehur dhe 14 kompani.
SPAK akuzon ish-zyrtarët e lartë se janë përfshirë në korrupsion, i kanë shkaktuar shtetit një dem prej 4 milionë eurosh nëpërmjet një skeme me lëshimin e faturave fiktive në punët e kryera në incenerator dhe kanë përfituar udhëtime dhe pagesa nga biznesmeni Klodian Zoto.
Ndërkohë që në kërkim jan shpallur dministratorët e këtyre kompanive, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




