Drejtësia

Dosja voluminoze e ‘Sterilizimit’ shtyn sërish seancën ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj

Gazeta Si- Për shkak të dosjes voluminoze të “Sterilizmit”, e cila kërkon kohë për t’u lexuar, shtyhet në 26 korrik seanca paraprake ndaj ish-ministrit të Shëndetësis, Ilir Beqaj dhe të pandehurve të tjerë.

Shtyrja u bë me kërkesë të avokatëve, të cilët kërkuan më shumë kohë, pasi ende nuk janë njohur me të gjithë fashikujt e dosjes, për shkak të volumit të madh të saj.

Disa ditë më parë, Beqaj doli nga zyrat e SPAK-ut në Tiranë i ngarkuar me një kuti të madhe në duar dhe një valixhe me dokumente, ku mori aktet hetimore të dosjes së “Sterilizimit” për të cilën akuzohet për shpërdorim detyre.

Ai krijoi një situatë jo të zakontë disa muaj më parë, kohë kur SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi dosjen në gjyq, duke mos e tërhequr atë, me argumentin se ajo kushtonte shumë.

Pas disa kërkesash, dosjen voluminoze pa pagesë ia siguroi gjykata gjatë shqyrtimit në seancë paraprake të kërkesës për marrjen e tij.

Më 30 mars të këtij viti, SPAK mbylli hetimet për dosjen e koncesionit të “Sterilizimit” dhe dërgoi në gjykatë dosjen ndaj 9 personave të vënë nën akuzë.

Mes tyre është dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ndaj këtij të fundit, prokuroria ka ngritur veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, lidhur me procedurat e dhënies së koncesionit me vlerë 100 milionë euro në vitin 2015.

Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka shmangur konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

Deri tani, për koncesionin 100 milionë euro në arrest me burg janë lënë ish-zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Ndërsa Beqajn, Prokuroria e Posaçme e ka lënë në detyrim paraqitje çdo ditë të premte të javës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë