Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 6 vite burg për avokatin Radovan Çela, i cili akuzohet për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë.
Prokurori Klodian Braho kërkoi dënimin e Çelës me 6 vite burg, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 4 vjet.
Sipas organit të akuzës, Radovan Çela dyshohet se ka ofruar përfitime të paligjshme për të ndikuar në vendimarrjen e funksionarëve të drejtësisë.
Në seancën e radhës, mbrojta ligjore e Çelës do japë konkluzionet përfunditare dhe më pas gjykata do japë vendimin.
Çela u vetëdorëzua më 6 mars të këtij viti, pasi ndodhej prej disa muajsh në arrati. Përfaqësuesi i tij ligjor, kërkoi masë më të butë sigurie, teksa mohoi akuzat e Prokurorisë së Posaçme, duke pretenduar se nuk ka përdorur aplikacionin “Sky ECC”.
Ai ka qenë avokat i Alfred dhe Elvis Vladit, të arrestuar në vitin 2018 pas sekuestrimit të 3,4 milionë eurove në portin e Durrësit, pjesë e dosjes “Toyota Auris”.
Më herët, për të njëjtën dosje, Braho kërkoi edhe dënimin e ish kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka me 3 vjet burg, vendim i cili do shpallet nga GJKKO javën e ardhshme në datë 20 maj.
SPAK e akuzon avokatin Çela dhe magjistraten Eriona Daupaj, e cila është shpallur në kërkim, se u përfshin në korrupsion dhe ndikuan drejtësinë për disa çështje, mes të cilave në zbutjen e rrethanave për të hetuarit në dosjen e “Toyota Auris” dhe disa pasuri të Suel Çelës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.