Drejtësia

Dosja ‘Plumbi i Artë’, përplasje mes avokates së një prej të pandehurve dhe gjyqtares

Gazeta Si – Një përplasje mes avokates së njërit prej të pandehurve dhe gjyqtares kryesuese, Ëngjëllushe Tahiraj, u regjistrua këtë të martë gjatë seancës në procesin gjyqësor të dosjes “Plumbi i Artë”.

Elda Zotaj, avokate e të pandehurit Altin Ndoci, i cili akuzohet si pjesë e grupit që vrau dy vëllezërit Haxhia në Durrës, ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares kryesuese me argumentin se kjo e fundit u kishte rrëzuar kërkesat pa u konsultuar më parë me anëtarët e grupës gjykuese. Pas kërkesës, ajo u largua nga salla e gjyqit.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar që të pandehurit Altin Ndoci të akuzuar për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës, t’i zëvendësohet avokatja duke arsyetuar se Zotaj me veprimet e kryera, kishte si qëllim ndërprerjen e seancave. Po ashtu ka kërkuar që Zotaj të gjobitet dhe të njoftohet Dhoma e Avokatisë për veprimet e saj.

Si përfundim, është marrë vendimi për zëvendësimin e avokates së Ndocit dhe shtyrjen e seancës për ditën e enjte.

Edhe seanca e kaluar e këtij procesi u ndërpre pas largimit demonstrativ nga salla të katër avokatëve, të cilët pas këtij veprimi u gjobitën nga gjykata.

Ndërprerja e procesit solli edhe dështimin e pyetjeve të parashikuara nga SPAK të të penduarit të tretë në këtë çështje, Skerdi Tasi, që ishte pozicionuar ndërkohë në karrigen e dëshmitarit.

Më herët, në seancën që zgjati 2 orë dhe u shoqërua me debate të forta mes palëve, gjykata pranoi kërkesën e avokatëve për t’ju vënë në dispozicion marrëveshjen e bashkëpunimit mes SPAK dhe të penduarit Endrit Alibej, si edhe procesverbalet e deklarimeve të dhëna nga Alibej në vitin 2022, para së të nënshkruante marrëveshje bashkëpunimi me SPAK.

Më pas, avokati Sokol Hazizaj i kërkon gjykatës që në momentin kur të pyetet Erion Alibej të largohet Nuredin Dumani nga seanca.

Por kjo kërkesë gjeti kundërshti nga prokuroria dhe nga vetë Dumani. Gjykata vendosi që gjatë dëshmisë së Erjon Alibejt, Nuredin Dumani mund të qëndrojë në sallë.

Dosja “Plumbi i Artë” është një nga më të nxehtat të drejtësisë. Të penduarit aty akuzohen për disa vrasje, atentate të mbetur në tentativë dhe vjedhje me dhunë, të zbardhura pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani. Pjesa më e madhe e krimeve janë kryer me pagesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë