Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim 20 personat e akuzuar për dosjen “Plumbi i artë”. Ndërsa dosja për të shumëkërkuarin e drejtësisë, Talo Çela në lidhje me një tentativë vrasjeje, ku akuzohet si i përfshirë, është rikthyer për hetime shtesë.
"Plotësimin e hetimeve ndaj të pandehurit Talo Çela për akuzën 'Vrasje me paramendim', e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Irfan Hazizi, 'Mbajtjes pa leje, prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit' kryer në bashkëpunim'", - thuhet në njoftimin e gjykatës.
GJKKO sqaroi po ashtu se ka pushuar pjesërisht akuzat për Talo Çelën, lidhur me vrasjen e Anxhelo Avdiajt dhe Dorian Shkozës dhe atë të vëllezërve Haxhia, ngjarje të ndodhura në Durrës në mars dhe prill të vitit 2020.
"Pushimin e pjesshëm të akuzës ndaj të pandehurit Talo Çela, për veprën penale të 'Vrasja në rrethana të tjera cilësuese', ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, në dëm të viktimave Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia, ndodhur më 02.03.2020 dhe Besmir Haxhia e Viktor Haxhia, ndodhur më 27.04.2020, 'Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit' të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, 'Grupi i strukturuar kriminal' (në rolin e krijuesit) dhe 'Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal'", - vijon GJKKO.
Ndërsa hetimet për Florenc Çekrezin janë pushuar nga akuza për grup të strukturuar kriminal, por vetëm për armëmbajtje pa leje.
Ai u akuzua fillimisht si pjesë e grupit të strukturuar për vendosjen e eksplozivit në banesën e Talo Çelës më 5 nëntor 2020. Por SPAK thotë se nuk ka qenë i përfshirë në këtë ngjarje.
Grupi kriminal akuzohen për një sërë veprash penale, teksa u zbërthye nga dëshmitë e disa prej të pandehurve që u kthyen në bashkëpunëtor të drejtësisë ku më kryesori ishte Nuredin Dumani.
Operacioni i koduar “Plumbi i artë” u ndërmor pas pendesës së Nuredin Dumanit. Për të njëjtën çështje u pendua edhe Henrik Hoxhaj, por gjatë hetimit, SPAK prishi marrëveshjen e bashkëpunimit me të.
Mes emrave të shpallur në kërkim, janë Talo Çela, i cili u lokalizua me anë të përgjimeve, por nuk u arrit të arrestohet, Florenc Çapja i cili ndodhet në Dubai, Kamer Mehja, Ervis Martinaj dhe avokati Alban Bengasi (i arrestuar vitin e kaluar), për të cilin burimet thonë se ka manipuluar provat për dy vrasje në favor të grupeve kriminale.
Të pandehurit, Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Skerdi Tasi, Enver Diva, Besian Xhixha, Erion Alibej, Florenc Çekrezi, Elvis Koçi (Çaushllari), Ilirian Feci, Asllan Plaku, Ardian Uzuni, Altin Ndoci, Gentian Sharra, Agron Qoli, Petrit Qoli, Fatos Gosa, Agron Qafa, Agim Gjini, Xhulian Hoxha dhe Albert Pashaj, akuzohen për vepra penale të kryera në formën e bashkëpunimit të veçantë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Në 27 ngjarje kriminale në total, SPAK arriti të zbardh vrasjet e Bujar Çelës, Emiljano Ramazanit, Regis Runaj, vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë, të gjitha këto ngjarje të regjistruara në Elbasan dhe Durrës përgjatë vitit 2020.
Më tej, përmes rrëfimeve SPAK zbardhi edhe vrasjet e Andi Zylyfit, Agim Boriçit apo Fatmira (Habili) Dedajt dhe dhjetëra tentativave për vrasje dhe plagosje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.