Nga Gazeta ‘Si’- Gjyqtarja e Posaçme Elsa Ulliri do jetë kryesuesja e trupës gjykuese për dosjen Partizani, e cila tashmë ka kaluar për gjykim me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin Jamarbër Malltezi dhe 3 bashkëpunëtorët e tyre.
Shorti u hodh sot në GJKKO, ndërsa gjyqtarët Bib Ndreca dhe Rudina Palloj janë dy anëtarët e tjerë të trupës gjykuese. Kjo treshe gjyqtarësh do të duhet të përcaktojë brenda 10 ditësh datën e seancës së parë të gjyqit në themel.
Por kush janë anëtarët e trupit gjykues? Bib Ndreca u shkarkua nga detyra më 18 janar të vitit 2021, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk i konsideroi bindëse shpjegimet e tij për të ardhurat e vëllait të tij, i cili i kishte dhënë një hua për blerjen e apartamentit ku jetonte.
Sipas KPK, nënshkrimi i kontratës ishte bërë në mungesë të palës që e shiste apartamentin. Më 22 maj të vitit të kaluar, Komisioni i Posaçëm i Apelimit mori vendimin për ta rikthyer në detyrë gjyqtarin e posaçëm duke e argumentuar se vendimmarrja e KPK nuk ishte e bazuar në ligj.
Gjyqtarja Rudina Palloj e kaloi Vettingun më 13 janar 2022 pa probleme në seancën dëgjimore. E vetmja pasaktësi, ishte mosdeklarimi i mënyrës sesi ishin shpenzuar 800 mijë lekë kursime të deklaruara në deklaratën fillestare të 2011-ës. Trupi gjykues do të kryesohet nga gjyqtarja Elsa Ulliri.
Po këtë të hënë, ish-kryeministri Sali Berisha ishte në SPAK për masën detyrim paraqitjeje dhe pyetjes së gazetarëve nëse do e ‘njohë’ trupën gjykuese i dha këtë koment. “Është çështje e avokatëve, jo e imja. Unë siç e keni vënë re unë dëgjoj avokatët. “, u shpreh ai.
Nën akuzë për korrupsion, Sali Berisha do të përgjigjet për aferën e privatizimit të klubit “Partizani”, për të cilën SPAK thotë se ai shfrytëzoi pushtetin që i jepte pozicioni si kryeministër për të pasuruar familjen e tij, përmes dhëndrit Jamarbër Malltezi. Ky i fundit do të përballet me drejtësinë për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.