Drejtësia

Dosja ‘Partizani’, vijon sot seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme

Gazeta Si – Ka nisur në Gjykatën e Posaçme seanca paraprake për ish-kryeministrin Sali Berishën dhe 4 të pandehurit e tjerë të pandehur për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.

Në seancën e kësaj të premteje, do të vijojnë sërish të japin argumentet e tyre avokatët e Jamarbër Malltezit. Më pas do të vijohet me mbrojtjen e Fatmir Bektashit, Xhimi Begesë dhe Andia Pustinës.

Po ashtu, argumentet do të lexohen edhe nga avokatët e dy shoqërive “Homeplan” sh.p.k dhe “Kontakt” sh.p.k. Kjo seancë pritet të zgjasë deri në orën 16:00 kur të përfundojë edhe orari zyrtar.

Ndërkohë, të pandehurit Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, nuk janë paraqitur sot në seancë, por përfaqësohen nga avokatët e tyre.

Përveç ish-kryeministrit Berisha, për dosjen e privatizimit të klubit “Partizani”, janë nën akuzë dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili po hetohet nën masën “arrest në shtëpi” për “korrupsion” e “pastrim parash”.

Biznesmenit Fatmir Bektashi i janë komunikuar akuzat “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Me akuzën e fundit po hetohet edhe Xhimi Begeja si dhe financierja Andia Pustina.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë