Drejtësia

Dosja ‘Partizani’ / Shtyhet seanca për Berishën dhe Malltezin. GJKKO vendos më 11 korrik

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme shtyu për më 11 korrik, ora 10:00, seancën për informacion 2-mujor në ngarkim të ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, të akuzuar për korrupsion pasiv si pjesë e një hetimi gjatë privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”. 

Shkak i shtyrjes ishte mosmarrja e njoftimit për seancën nga Berisha dhe Malltezi.

Në seancën e kësaj të marte, pritej që Prokuroria e Posaçme t’i komunikojë avokatëve përfundimin ose shtyrjen e hetimeve me 3 muaj të tjerë, pasi sot përfundon afati i hetimeve për privatizimin e ish klubit sportiv Partizani.

Nga ana tjetër, avokët pritet të përsërisin kërkesën e tyre për ndryshim të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, vendosur ndaj të dyve. 

Në një prononcim për mediat, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj është shprehur se hetimet për çështjen “Partizani” janë shtrirë në një drejtim që nuk ka lidhje me korrupsionin.

"Ne kërkojmë zëvendësimin e masës sepse mungon çështja në thelb. Këta edhe ta zgjasin afatin, edhe të mos e zgjasin, një çështje që nuk ka një fabul akoma të përshkruar nga prokuroria, sigurisht që nuk duhet zgjatur, por duhet marrë zgjidhja ligjore që është pushimi i hetimeve. Ata duhet t’i thërrasin mendjes se edhe sikur të bëjnë një tjetër zgjatje të sforcuar, ata nuk kanë gjë në inventar në kuptimin e provave. I bëj thirrje që të ndërmarrin një veprim ligjor të duhur njëherë në jetë sepse hetimet janë shtrirë në një drejtim që nuk ka lidhje me korrupsionin", - tha Gjokutaj.

Më 18 qershor, gjyqtarja Ilirjana Olldashi vendosi të rrëzojë kërkesën e radhës të Sali Berishës e Jamarbër Malltezit për ndryshim të masës së sigurisë, duke i lënë sërish në "arrest shtëpie". 

SPAK kërkon që Berisha të qëndrojë nën masën e sigurimit arrest në shtëpi, ndërkohë që avokatët kërkojnë ndryshim mase.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë