Drejtësia

Dosja ‘Partizani’, nis më 30 qershor seanca e parë në GJKKO për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij

Gazeta Si – Më 30 qershor në orën 10:00 do të mbahet seanca e parë në themel për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, për të cilën janë marrë të pandehur kryedemokrati Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë.

Dosja kaloi për gjykim më 19 maj të këtij viti. Shorti përcaktoi se do të jetë gjyqtarja e posaçme Elsa Ulliri ajo që do të shpallë vendimin përfundimtar për fatin e kryetarit të Partisë Demokratike dhe të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.

Ndërsa gjyqtarët Bib Ndreca dhe Rudina Palloi janë dy anëtarët e trupës gjykuese. Më herët, avokatët e Berishës kishin kërkuar përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi, e cila kaloi për gjykim dosjen.

Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj ka bërë me dije për mediat se nuk do të kërkohet gjykim i shkurtuar për kreun e PD dhe se do të përballen me të gjitha pretendimet e SPAK lidhur me akuzën për “korrupsion pasiv”.

Dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi akuzohet se ka kryer veprat penale “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”

Fatmir Bektashi, ndërtuesi akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe ‘pastrim parash’

Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ akuzohet për ‘Pastrim Parash’

Andia Pustina- Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k – Akuzohet për ‘Pastrim Parash’.

SPAK e akuzon Berishën se gjatë kohës që ishte Kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë