Nga Gazeta 'SI' - Magjistratja Flojera Davidhi është e zgjedhura me short për të gjykuar kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha në dosjen "Partizani".
Sipas informaconeve në listën e 10 gjyqtarëve nuk u përfshi emri i Irena Gjokës, e cila ka qenë trupë gjykuese prej tetorit të vitit të kaluar ku ka miratuar edhe masat e sigurisë, ndërsa ligji përcakton se nuk duhet të jetë më pjesë e procesit.
Kush është Flojera Davidhi
Flojera Davidhi ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014. Pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Korçës.
Në tetor 2019, Davidhi u komandua për një periudhë 2-vjeçare si këshilltare ligjore pranë Njësisë Mbështetëse të komisioneve në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Në majin e vitit 2021 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi në mënyrë unanime të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Korçës Flojera Davidhi.
Nuk u evidentuan probleme as për pasurinë dhe as për figurën e gjyqtares në fjalë.
Lidhur me pasurinë, Komisioni nuk ka gjetur probleme në pjesët takuese të gjyqtares Flojera Davidhi në dy sipërfaqe toke bujqësore të përfituara nga familja e oirigjinës në vitin 1993 në bazë të “Ligjit për tokën” në fshatin Goricaj të Lushnjës.
Po ashtu, kanë rezultuar pa probleme edhe rezultatet e hetimit administrativ për pjesët takuese në shtëpinë e ndërtuar nga prindërit në vitin 1986 dhe të një njësie shërbimi në vitin 2001, në proces legalizimi, që janë përfituar nëpërmjet trashëgimisë nga babai i ndjerë.
KPK tha se subjektit të rivlerësimit nuk i është kaluar barra e provës për këto pasuri dhe për dy prona të prindërve të bashkëshortit, të cilat ishin krijuar përpara lidhjes së martesës dhe emërimit të Davidhit si gjyqtare
Lidhur me figurën si gjyqtare, u debatua vetëm mbi një vendim pafajësie të dhënë nga Davidhi për një zyrtare lokale të akuzuar se kishte marrë 20 mijë lekë (200 mijë të vjetra) ryshfet. Rasti u zbulua nga kamerat e fshehta të një emisioni investigativ. Davidhi e shpalli zyrtaren e Hipotekës, të pafajshme.
Gjykimi bëri bujë në media, dhe u cilësua si vendim i rrallë, pasi vetë e pandehura kërkoi të dënohej, por gjyqtarja vendosi për jo. Kur u pyet nga komisionerët e Vetingut, pse veproi kështu, Davidhi u përgjigj:
“Gjykata duhet të bazohet në atë që provohet në procesin gjyqësor, pra bazuar në prova. E kuptoj që ka një konfondim, pse vetë e pandehura ka kërkuar dënim. Ajo kishte kryer veprime jo konform detyrës, por jo konform veprës penale për të cilën akuzohej. Nuk do të kishte qenë ligjore të dënohej dikush, pse e pranonte akuzën, pavarësisht se nuk ka kryer elementë të veprës penale”.
Vendimi i saj më pas, është gjetur i drejtë edhe nga Apeli.
Anëtarët e Gjykatës së Posaçme, me ambasadoren amerikane Yuri Kim
Në hetimin e Vetingut u konstatua se ajo ka aftësi të mira profesionale, organizative, se ka etikë në punë dhe aftësi personale.
Në tetor 2022, Keshilli i Lartë Gjyqësor e emëroi gjyqtaren Fjorela Davidhi si pjesë të trupës së Gjykatës së Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.