Gazeta Si – Seanca paraprake për dosjen “Partizani”, ku është nën hetim ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, është shtyrë pas zgjedhjeve, konkretisht më 19 maj.
Edhe sot, seanca ku duhej të jepej një vendim nga gjyqtarja Floreja Davidhi nëse dosja do kalonte ose jo për gjykim, u shty vetëm 8 ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.
Herët në mëngjesin e kësaj të hëne, kur Berisha u paraqit në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitjeje”, publikoi një dokument, sipas të cilit pretendojnë se gjyqtarja e hetimit paraprak, Irena Gjoka ka qenë e dënuar në 2005 në Greqi për falsifikim dokumentesh të udhëtimit.
Me këtë vendim në duar, mbrojtja e Berishës mësohet se ka kërkuar në seancë paraprake revokimin e vendimit për pavlefshmëri të provave të marra nga Irena Gjoka.
Por gjyqtarja Davidhi nuk e ka pranuar dhe kështu avokatët kanë përdorur një tjetër taktikë zvarritje, duke kërkuar përjashtimin e saj nga çështja.
Avokati Genc Gjokutaj, tha se kërkuan revokimin e vendimit të gjyqtares Flojera Davidhi, e cila rrëzoi të gjitha kërkesat e mbrojtjes për pavlefshmëri të akteve, por kjo kërkesë u rrëzua.
“Sot ishte seanca ku ne vijmë nga një rrëzim kërkese për përjashtimin e gjyqtares, Flojera Davidhi, një vendim i cuditshëm, ku kërkesa është bërë nga ne avokatët dhe është gjobitur zoti Berisha pa pasuri firmën e tij. Është gjobitur me 10 mijë lekë të reja! Ndërkohë që nuk është ai firmëtari i kërkesës. Kjo është një lajthitje e gjykatës, – tha Gjokutaj. – Ne sot vazhduam, i dhamë mundësinë kësaj gjykatë që të revokonte vendimin për pavlefshmëri që ne kemi ngritur, për ta sjellë këtë proces në shina, por gjyqtarja e rrëzoi këtë kërkesë”.
Gjokutaj theksoi se “ne njoftuam gjykatën që do bëjmë kërkesë për pavlefshmërinë e gjithë vendimmarrjes së Irena Gjokës, sepse ne kemi vendimin e gjykatës greke për dënimin e saj. Edhe këtë kërkesë, pavarësisht se ne kërkuam kohë për ta formalizuar, ajo e rrezon. Mbi këtë bazë kemi kërkuar një përjashtim tjetër”.
Në dosjen ‘Partizani”, me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të “Homeplan”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.