Politike

‘Dosja Partizani’, Berisha: Procesi, fund e krye piramidë mashtrimi

Nga Gazeta ‘Si’- Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas shtyrjes së seancës gjyqësore për çështjen “Partizani”, duke e cilësuar procesin si një farsë të pastër politike dhe të diktuar nga mazhoranca në pushtet.

Berisha nuk u paraqit sot në seancë, por me anë të një reagimi në rrjetet sociale u shpreh se kapja dhe përdorimi i drejtësisë si armë politike është sipas tij tipar kryesor i regjimeve autokratike të korruptuara.

Ai e quajti gjyqin ndaj tij dhe të afërmve të tij një “proces gjyqësor politik” dhe një “piramidë mashtrimi”.

Në reagimin e tij Berisha thotë se SPAK e mori urdhrin nga Rama për të hetuar Berishën në tre breza në Kongresin e PS në prill të 2022-shit. 

“Pasi ata hetuan deri në arkivat e para 100 viteve duke injoruar Fletoret Zyrtare që janë online, pasi hetuan veprimtarinë 20 vjeçare të PD nga 2005 deri tek kandidatja e PD për kryetare të Bashkisë së Korçës në 2023 nese kishte marrë sponsorizim për kapelet e fushatës, pasi mbajtën në arrest politik të kundraligjshëm kryetarin e Partisë Demokratike të Shqiperise për 333 ditë, rezulton se:

  1. Për akuzën e tyre per dosjen “Partizani” nuk ka asnjë fakt penal. Jamarbër Malltezit nuk iu është dhënë asnjë m2 tokë publike.
  2. Toka ishte gjithnjë e 5 familjeve private të Tiranës – një prej të cilave familja e gjyshërve të Jamarbër Malltezit – dhe se Taulant Balla kreu kallzim të rremë.
  3. Nuk ka asnjë qindarkë dëm ne para publike. Shteti veç ka përfituar nga zbatimi i ligjit.
  4. Në këtë proces nuk ka asnjë zyrtar të çfarëdo niveli që dyshohet për asnjë veprim të paligjshëm pasi ata kanë zbatuar strikt ligjet e vendit
  5. Nuk ka asnjë provë, asnjë dëshmi, asnjë dokument që të tregojë se Berisha ka bërë ndërhyrjen më të vogël ndaj kujtdo.
  6. Ndonëse pretenduan se kishte ndonjë ligj apo VKM nominative, po vetë shërbëtorët e Edi Ramës kanë pohuar tashmë se nuk ka asnjë akt zyrtar, asnjë ligj apo VKM nominative (krejt ndryshe nga Edi Rama që ka nxjerrë Ligjin Fusha, 4 VKM nominative për të grabitur truallin e gjimnazit e ia fali Bolinos, Ligjin klientelist të Portit të Durrësit, VKM për të grabitur bazat detare ushtarake apo VKM për të lumturuar vëllain e vet me 37,000 m2 tokë dhe ndërtesa në tokë private).
  7. Asnjë nga privatet që kanë zhvilluar pronën nuk ka pasur asnjë kontratë publike dhe nuk kanë përfituar asnjë cent nga qeverisja e Sali Berishës.
  8. I vetmi dëm në financat publike ka ardhur nga shpërdorimi i detyrës nga Edi Rama që solli dëm mbi 340,000 euro në financat e Bashkisë (vertetuar me vendim gjykate të formës së prerë) por SPAK nuk guxon as ta thërrasë si dëshmitarë e jo më ta mbajë përgjegjës Edi Ramën për demin”, shkruan Berisha.

Ai shkruan se pas 5 vitesh hetimi të vetingut 30 vjeçar, kanë gjetur se Sali Berisha bashkë me të shoqen disponon gjithsej 100.000 euro kursime të 54 vite pune, dhe një apartament 40 m2 më të madh sesa ai që kanë pasur gjatë diktatures.

“Prokuroria politike pas këtij vetingu akuzon Sali Berishën për korrupsion pasiv, duke shpallur të tillë solidaritetin familjar dhe aktet e bamirësisë për fëmijët në nevojë. Konkretisht ata kanë shpallur si korrupsion pasiv:

  1. Pagesën që e bija, Argita Malltezi Berisha, ka kryer për një javë pushime familjare dhe 2 fatura spitali
  2. Bamirësinë e vajzës dhe dhendrit për të përballuar prej 10 vitesh shpenzimet për 3 familje autike qe janë trajtuar në Qendrën Rajonale të Autizmit që është ngritur dhe drejtohet prej 20 vitesh nga Dr. Liri Berisha pa asnjë pagë e asnjë shpërblim.
  3. Pagesat e procese gjyqsore në të cilat Argita është palë dhe që janë hua familjare.
  4. Donacionin e kompanisë “Homeplan” prej 4,600 eurosh që iu bë Ministrisë së Kulturës për të mbuluar shpenzimet e këngetarëve Ricardo Cocciante dhe Elhaida Dani që erdhën për dekorim nga Presidenti i Republikës.”, shkruan ai.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë