Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka dërguar në gjyq dosjen ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka, ish-shefit të forcave operacionale Oltian Bistri dhe 5 personave të tjerë të arrestuar gjatë operacionit “Metamorfoza”, përfshirë dhe ish-prokurorin e Kukësit, Xhevahir Lita.
SPAK i akuzon ata për disa vepra penale, nga ajo e vrasjes, sigurimi i kushteve për të kryer vrasje, grup i strukturuar kriminal dhe korrupsion.
Në seancën e kësaj të premteje, trupi gjykues vendosi të kalojë për gjykim biznesmenin Pëllumb Gjoka, Behar Brajoviç, Edmond Preka, Astmer Bilali, Ardit Hasanbegaj, Oltion Bistri dhe Xhevahir Lita.
Gjatë shqyrtimit paraprak këta tre të pandehur kanë kërkuar edhe gjykim të shkurtuar, vendim për të cilin gjykata do të shprehet në seancën e parë të gjykimit në themel.
Biznesmeni Pëllumb Gjoka akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit në vitin 2020 si dhe për bashkëpunim në dy vrasje të tjera. Ndërsa ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-shefi i Forcave Operacionale të Policisë, Oltion Bistri akuzohen për korrupsion dhe nxjerrje te sekretit.
Avokatët e biznesmenit Gjoka, kanë kundërshtuar në të gjitha seancat marrjen si provë të komunikimeve “Sky Ecc”, për te cilën i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një apelim. Kushtetuesja ka njoftuar se do e marrë në shqyrtim ankimimin në datë 19 nëntor në orën 10.00.
Po ashtu, të akuzuar për këtë çështje janë Astmer Bilali, Behar Bajri, Edmond Preka dhe ish-oficeri i policisë, Ardit Hasanbegaj.
Grupi u zbulua pas zbërthimit të mesazheve që ata kishin shkëmbyer në aplikacionet “Encro Chat” dhe “SKY ECC”.
Grupit i janë sekuestruar edhe një sërë pasurish të paluajtshme, ndërsa disa bashkëpunëtorë të tyre janë ende në kërkim, mes të cilëve edhe Ervis Martinaj, i cili rezulton akoma i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.