Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin ‘arrest me burg’ ndaj gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu, e akuzuar në dosjen e grupit të Suel Çelës.
Ndërkohë, Apeli ka hequr masën detyrim paraqitje për gazetarin Elton Qyno, për veprën penale korrupsion pasiv në sektorin privat. Ndërsa gazetari tjetër, Artan Hoxha nuk bëri ankimim.
Mësohet se gjyqtari vlerësoi se nuk është verifikuar të jenë kryer veprime për një lajm që rezulton të jetë i vërtetë. Për këtë, ka vendosur heqjen e masës detyrim paraqitje, ndërsa hetimet do të vazhdojnë pa asnjë masë sigurie ndaj gazetarit Qyno.
Prokuroria e Posaçme lëshoi 21 masa sigurimi për persona të përfshirë në krimin e organizuar, ish-zyrtarë të drejtësisë, policisë, si dhe 2 gazetarë. 18 prej masave të sigurisë janë “arrest në burg” dhe 3 të tjera më të lehta, si ajo e “arrestit në shtëpi” dhe “detyrimit për t’u paraqitur” kur goditi grupin e Çelës.
SPAK tha se arriti të zbulonte dy raste të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, drejt vendeve të Bashkimit Europian u dokumentuan nga ky hetim dhe SPAK thotë se me paratë e fituara nga trafiku, organizata ka financuar ndër vite eliminimin e kundërshtarëve në qytetin e Elbasanit.
Mes ngjarjeve të bujshme të zbardhura është tentativa e vrasjes ndaj Ardian Çapjes, në Gusht të 2020, me snajper nga Kodra e Krastës në Elbasan. Ardian Çapja ndodhet në qeli i dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje të 2012.
Për realizimin e qëllimeve të veta kundër kundërshtarëve të tyre, apo edhe për të krijuar mbrojtje për vete, organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të drejtësisë, policisë dhe medias.
Organizata kriminale, nga hetimet e përbashkëta të kryera mes SPAK, Belgjikës, Francës dhe Ekuadorit, tregoi se paratë përdoreshin për financimin e blerjes së kokainës, silleshin cash në Shqipëri dhe investoheshin në biznese në dukje të rregullta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.