Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar për dosjen e SPAK që lidhet me zv.kryeministren dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila nuk u është vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Imunitetit
Në një reagim Kuvendi sqaron se materialet e dërguara nga SPAK janë klasifikuar si “sekret hetimor” dhe ndodhen në kasafortë.
Po ashtu Kuvendi sqaron se këto materiale do të diskutohen në prani edhe të prokurorëve të posaçëm që do të jenë të pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit.
Në njoftim ritheksohet detyrimi i të gjithë deputetëve të vënë në dijeni për respektimin e rreptë të sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit ose shpërndarjes së akteve, në përputhje me urdhrin e prokurorit të çështjes.
Me 16 dhjetor, SPAK iu drejtua Kuvendit të Shqipërisë me kërkesën për autorizim, për heqjen e imunitetit të Ballukut e më tej kalimin në masë shtrënguese ndaj saj.
SPAK argumenton se Balluku është e pandehur për “shkelje të barazisë në tendera”, në kuadër të hetimeve për Tunelin e Llogarasë. Përveç kësaj, shton, se ajo është nën hetim për shtatë procedura të tjera prokurimi.
Pas kërkesës në Kuvend është vendosur që Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit ta shqyrtojë atë më 19 dhjetor.
Sipas rregullave, Balluku ka të drejtë të japë shpjegime, të përfaqësohet nga avokati dhe të ushtrojë të plotë të drejtën e mbrojtjes gjatë mbledhjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



