Politike

Dosja e Sigurimit, Meta: Nuk jam unë I.M. Ramën s’e shpëton dot asgjë

Ilir Meta akuzoi Autoritetin e Dosjeve se është shndërruar në vegël qorre të Edi Ramës duke manipuluar, kriminalizuar e sajuar dokumentacionin kundër figurës së tij.

“Nuk ka shqiptar mbi këtë tokë që të besojë këtë akt vetëvrasës të Autoritetit të Dosjeve para se të jetë autoritet ligjor është dhe autoritet moral, për të ardhur keq për autoritetin tashmë të manipulimit dhe kriminalizimit të dosjeve. Ata e dinë më mirë nga kushdo se çfarë ka, sa e vërtetë dhe sa e manipuluar është në ato dosje që thonë ata”, deklaroi ai në konferencën e parë për shtyp me logon e Partisë së Lirisë.

Konferenca u thirr zyrtarisht për të prezantuar drejtuesit e rinj të partisë. Por, Meta u ndal gjatë në fjalën e tij kundër Autoritetit të Dosjeve. Sipas Metës, Autoriteti nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore dhe nuk ka asnjë pengesë aktualisht për të mos publikuar dosjen në fjalë.

“Me një e-mail anonim elektronik, që jam i sigurt që kur të bëhet publik se do të gajaseni të gjithë, na qenka zbuluar që na qënka një I.M. U zbulua që pas 30 e ca vitesh I.M. qenka ky njëri që në mars të 1992 ëshë bërë deputet dhe u është nënshtruar të gjithë filtrave dhe komisioneve të të gjitha kohërave, që nga ai i zotit Berisha, që nuk e kaloi as gjysma e atyre të partisë ku isha atëherë”, tha Meta.

Meta tha se në klasën ku ka qenë në Fakultetin e Ekonomisë kanë qenë dy persona me të njëjtin emër dhe dallimi ishte atësia. Për këtë, ai i kërkoi Autoritetit që të bëjë publike dosjen, megjithëse u shpreh i sigurtë se as personi tjetër nuk ishte bashkëpunëtor i sigurimit.

“Unë kam qenë sekretar i rinisë së Fakultetit të Ekonomisë. Kjo ishte merita ime kryesore. Njoh nja 40-50 Ilir Metaj, madje njëri është edhe deputet tani. Në klasën time kemi qenë dy. Edhe ai tjetri nuk ka qenë besoj”, shtoi ai.

Ish-Presidenti akuzoi Autoritetin e Dosjeve se për nevoja personale të Edi Ramës po shkatërron besimin në publik dhe krijon shqetësime te shumë njerëz.

“Pse bëhet kjo? Ça i kushtonte autoritetit që të thërriste I.M., nëse kishte bindje e dyshim që ky këtu nuk është I.M., por është Ilir Rexhep Metaj. S’jam as president, as deputet dhe pse duhet bërë me urgjencë ligji i posaçëm që nuk paskan mundësi të kontrollojnë? A ka njeri ta besojë këtë?

Pjesë të kësaj loje akuzoi se është bërë edhe kryetarja Lindita Nikolla dhe gjithë Parlamenti.

“U ngrit parlamenti në këmbë, parlamenti me në krye Nikollën, apo Lindita e Ramës që përdoret për nevoja personale të tij, siç është urgjenca për të hequr vëmendjen nga skandali i inceneratorëve dhe nga të gjitha aferat e tjera të zeza, përfshirë edhe detin. Për detin nuk mblidhet parlamenti, s’e ka atë shqetësim sepse është arlament patronazhistësh e të korruptuar dhe opozitë ende plot me lulushë. Lojë politike dhe mediatike, do ta mbajnë ata përgjegjësinë. manipulim dhe kriminalizim të të vërtetave. Përrallë! Asgjë s’e shpëton”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë