Kryetarja e Kuvendit nuk e përmendi për asnjë moment emrin e Ilir Metës, megjithëse dokumentacioni i publikuar i Autoritetit të Dosjeve për politikanin me inicialet I.M., bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit konfirmoi dyshimet se bëhet fjalë për ish-Presidentin.
Por, Lindita Nikolla e cilësoi rastin tronditës dhe duke iu referuar kërkesës së Autoritetit të Dosjeve tha se ky i fundit nuk mund të vepronte më tej për shkak se ja ndalonte ligji.
Për këtë arsye, kryetarja e Kuvendit kërkoi që të ndryshohet sa më parë ligji.
“Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë me patjetër. Për këtë arsye kam thirrur kryetarët e grupeve parlamentare. I kam njohur ata me emrin e politikanit dhe gatishmërinë që ta mbledh Kuvendin kur ata ta shohin të arsyeshme”, tha Nikolla.
Për këto gjetje, Autoriteti ka informuar që në mes të qershorit Ilir Metën, që mbante ende postin e Presidentit të Republikës. Njoftimi është bërë në bazë të vendimit nr.227 të Autoritetit, ku thuhet se për “Ilir Metën ka një dosje prej 140 faqesh nga Sigurimi i Shtetit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.