Gazeta Si – SPAK ka dorëzuar në GJKKO prova të reja pas zgjatjes së hetimeve për dosjen “Buka”, ku po hetohet ish-zv/kryeministri, Arben Ahmetaj.
Përgjatë 3 muajve të fundit, prokurori Elvin Gokaj ka plotësuar detyrat hetimore që gjyqtari i Posaçëm i la më herët.
Në këto kushte, avokati mbrojtës i ish-numrit dy të qeverisë, kërkoi kohë për t’u njohur me provat shtesë që SPAK dorëzoi. Pikërisht kjo arsye shërbeu si shkak për shtyrjen e seancës paraprake për më datë 17 korrik.
Arben Ahmetaj akuzohet në këtë dosje për shpërdorim detyre. Sipas organit të akuzës, kur shërbente si ministër i Financave, Ahmetaj lejoi privatizimin e trojeve të një furre buke, ku tashmë është ndërtuar një kompleks pallatesh.
Hetimet për Ahmetajn për këtë çështje nisën pas kallëzimit të familjes Myderizi, të cilët pretenduan se humbën pronën, ndërsa SPAK ngriti dyshimet se privatizimi solli një dëm prej 7 miliardë lekësh shtetit dhe pronarëve legjitim.
Ndërkohë, Arben Ahmetaj ndodhet në kërkim nga drejtësia shqiptare për dosjen e inceneratorëve i akuzuar për veprat penale të “korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë”, pasi gjykata caktoi masën “arrest në burg” në mungesë.
Edhe për këtë çështje, SPAK shtyu për herë të katërt deri më 23 tetorr hetimet. Ndaj Ahmetajt po kryhet edhe hetim pasuror, në kuadër të të cilit i janë sekuestruar dy vila, apartamente dhe llogari bankare, hetim nga i cili është i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.