Gazeta Si – Katër zyrtarë të Bashkisë Tiranë, të cilët janë marrë të pandehur për dosjen “5D” në lidhje me atë që njihet si “fraksioni 2”, kanë përfituar nga gjykimi i shkurtuar.
Prokuroria e Posaçme shpalli pretencën sot për 4 të pandehurit, duke kërkuar 1 vit burg për drejtoreshën e klubit “Tirana”, Deborah Keçi dhe nga 9 muaj burg për Teuta Gjurin, Renaldo Gjerazin dhe Gentjan Merajn.
Duke qenë se përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar, SPAK kërkoi që dënimi për të pandehurit të konvertohet në 2 vite shërbim prove.
SPAK kërkon shpalljen fajtor të Keçit dhe dënimin e saj me 1 vit burgim, gjykim të shkurtuar 8 muaj burgim dhe në vijimësi pezullimin e burgut dhe vendosjen e saj në 2 vite shërbim prove, si dhe heqjen e te drejtës për 5 vite jashtë funksionit.
Ndërsa, për Teuta Guri, Renaldo Gjerazi dhe Gentjan Meraj, prokurori Klodian Braho kërkoi dënimin me 9 muaj burg, në aplikim të gjykimit të shkurtuar 6 muaj.
Për të tre, u kërkua edhe pezullim me afat dy vjeçar që gjatë kësaj kohe të mos ushtrojnë vepër tjetër penale, si dhe u dha dënim plotësues që për 5 vite të mos ushtrojnë funksione publike.
Mbrojtësit ligjorë kërkuan kohë të përgatisin mbrojtjen, për këtë arsye seanca e radhës u caktua ne datë 8 maj ora 12.00.
Konkretisht, në vitin 2020, e pandehura Deborah Keçi nën drejtimin e “Klubit Sportiv Tirana”, institucion në varësi të Bashkisë në bashkëpunim me 3 persona të tjerë, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë krijuar për “5D Konstruksion” sh.p.k avantazhe dhe privilegje të padrejta në një tender.
Gjithashtu në vitin 2019, e pandehura Eglantina Zëre nën drejtimin e “Tirana Parking” institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me 4 të pandehur të tjerë, kanë favorizuar kompaninë V.A.S, e njëjtë me 5D-në sipas SPAK në përfitimin e një teneri rikonstruksioni.
Ndërkohë, më herët SPAK ka sqaruar se kompania 5D, zotëruar në mënyrë indirekte nga Redi Molla dhe Mariglen Qato, ish-drejtor në institucionet në varësi të Bashkisë Tiranë ka përfituar tendera në kundërshtim me ligjin nga “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.