Nga Gazeta Si- Aleanca për mbrojtjen e Teatrit ka organizuar ditën e sotme protestë para Bashkisë Tiranë pas arrestimit të drejtorëve të bashkisë në sajë të dosjes ‘5D’. Protesta u mbyll pas më shumë se një ore ku dhe u paralajmërua se do të ketë një protestë tjetër.
Protestuesit kanë hedhur vezë dhe mollë drejt godinës, ku dhe kanë tentuar të futen me forcë në ambientet e Bashkisë. Ata kanë hedhur mollë, për shkak të emrit të një prej zyrtarëve të arrestuar të bashkisë, Redi Molla, si pjesë e një skeme korruptive.
Edhe pse është një protestë e thirrur nga Aleanca për mbrojtjen e Teatrit, asaj iu janë bashkuar edhe këshilltarët e opozitës në bashki, deputetët si dhe Argita Malltezi, e bija e Sali Berishës.
Edhe Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është bërë pjesë e protestës, i cili tha se qytetarët duhet të bashkohen kundër projektit shfarosës të kombit.
“Tirana është vërë lavatriçja më e madhe e pastrimit të lekëve nga krimi i organizuar. Opozita duhet ta nisë nga ata këshilltarë që nuk luftojnë si këshilltarët që folën këtu. I bëj thirrje këshilltarëve opozitarë që duhet të jenë bashkuar dhe të distancohen nga ofertat e Veliajt për të heshtur, zgjedhjet e vjedhura e të blera nuk e mbajnë dot gjatë aty Veliajn. Ndaj ti bëjmë thirrje gjithë qytetarëve të Tiranës të bashkohemi kundër projektit shfarosës të kombit tonë nga ky sekt kriminal. Unë kam problemet e mia, por dal në mes të Tiranës pa bodyguard. Unë i kam përzërë punonjësit e Gardës sepse janë patronazhistë. Erdhi ora t’i përzëmë. Sali Berisha është i lirë sepse është në zemrat e të gjithë atyre njerëzve që kanë dinjitet. Bëjmë thirrje qytetarëve të ngrihen, kur ngrihet populli bie Tirania. Këtë bashki do ia kthejmë qytetarëve të Tiranës shumë shpejt”, tha ai.
Ndërkohë, këshilltarët e opozitës në Këshillin Bashkiak janë përplasur me policinë, pasi nuk i kanë lejuar ata që të futen në ambientet e këtij institucioni.
Ishte Ilir Alimehmeti ai që kërkoi të flasë me drejtorin e Policisë që të lejohen të futen në Bashki.
“Kush është komandanti këtu? Dua të flas me të. Zoti drejtor, a mund të hyjnë anëtarët e Këshillit? Kërkojmë të bëjmë detyrën tone, detyrë që na e ka ngarkuar populli. Do çojmë kërkesë zyrtare për mbledhje urgjente. Është firmosur nga dhjetëra anëtarë të Këshillit”, tha Alimehmeti.
Ndërkohë, Tedi Blushi nga Partia e Lirisë ka thënë se; “S’kemi punë me këshilltarët, arrestoni Veliajn”.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi në fjalën e tij në protestën para bashkisë së Tiranës, u shpreh se kreu i bashkisë, Erjon Veliaj duhet të ishte në burg së bashku me vartësit e tij, duke nënvizuar se protesta është e thirrur nga shoqëria civile.
“Kjo është protestë e shoqërisë civile. Si deputet dhe përfaqësues i qytetarëve, e kemi për detyrë të jemi në mbështetje të tyre. Zyrtarë të afërt me Veliajn kanë guxuar të vjedhin. Veliaj do të duhej të ishte me 5 vartësit e tij në qeli dhe jo në zyrën e bashkisë. Ka shumë arsye për të protestuar. Ky nuk është një rast i shkëputur. Nëse hetoni, kjo është skemë e shtrirë në çdo bashki të vendit. Opozita, do të duhet t’i prijë qytetarëve për të bërë të mundur hetimet”, tha Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.