Gazeta Si – Gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën e Posaçme ndaj të akuzuarve të dosjes “5D”, ish-zv.kryetari i Bashkisë Tiranë, Arbian Mazniku, ka shpjeguar se në periudhën 2019-2022 ka qenë nënkryetar dhe gjatë kesaj kohë ka pasur edhe kompetencat e autoritetit nën kontraktor për procedurat e tenderimit.
Ai ka thën se roli i tij nuk ka qenë verifikimi i aspekteve teknike, pasi me atë punë merreshin ekspertët, por ka patur si rol firmosjen e kontratës përfundimtare si titullar i autoritetit kontraktor.
Mazniku deklaroi se Redi Mollën dhe Mariglen Qaton i ka njohur personalisht dhe se ka patur marrëdhënie shumë të mirë me to.
“Kam pasur postin e nënkryetarit të bashkisë. Detyra ime, si titullar i autoritetit kontraktor, është të bëj verifikimin final të procedurës dhe të firmos në fund kontratën. Nuk jam marrë me lëndën, pasi verifikimet janë kryer nga ekspertët. Raporti përmbledhës është raport i bërë nga ekspertë, pasi drejtorët e fushës përkatëse kanë miratuar procesin. Ne kalonim me dhjetëra procedura në ditë. unë sigurohesha që personat përgjegjës kishin firmosur dokumentet dhe kishin kryer detyrën e tyre, ndërsa unë thjesht e certifikoja si proces. Në thelb, është certifikimi i faktit që ata që vijnë nga fushat përkatëse, si inxhinierët, juristët e të tjerë, e kanë bërë detyrën e tyre”, – ka dëshmuar Mazniku.
I pyetur nëse njeh Mariglen Tushen dhe Qaton, ai është përgjigjur: “Kam pasur marrëdhënie kolegësh me ta. Kam pasur kontakte telefonike me Redi Mollën. Ishim kolegë. Nuk kam pasur dijeni që Molla, Tushe, Qato të kenë pasur interesa financiare”.
Av i Redi Mollës: “Bashkia ka tenderuar disa procedura. Ka qëlluar ndonjëherë ndonjë punë e pambaruar, apo projekt i mbetur në mes?”.
“Kur ka qindra projekte, ka raste kur ndonjë projekt ngec. Ka pasur raste shpronësimesh, apo një kanalizim, apo një fije rryme që s’ishte në rivelimin paraprak. Këto shtynin afatet në kohë”, – u përgjigj Mazniku.
Ndërkohë, ish-drejtori në Bashkinë e Tiranës, Redi Molla nuk është i paraqitur në sallën e gjyqit. Molla ka nënshkruar deklaratën me përmbajtje: “Unë, i pandehuri Redi Molla, deklaroj se nuk marr pjesë në seancë dhe kërkoj të përfaqësohem nga avokatët Denion Bogdani dhe Ermir Beta.”
As Taulant Tushe nuk ishte i pranishëm në sallën e gjykimit. Ai kërkoi të përfaqësohet nga avokatët e tij, pasi shpreh vullnetin për të mos marrë pjesë në seancë. Ish-drejtori tjetër, Mariglen Qato ishte i pranishëm në sallë.
Arbjan Mazniku, drejtues i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, është thirrur si dëshmitar për kohën kur mbante postin e nënkryetarit të Bashkisë Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



