Gazeta Si – Gjykata e Posaçme dënoi me 1 vit burg Eglantina Zëren, e cila për shkak të gjykimit të shkurtuar u dënua përfundimisht me 8 muaj heqje lirie.
Zere, në cilësinë e anëtares së Komisionit të Vlerësimit të Ofertave u mor e pandehur në kuadër të dosjes “5D”, ku në gjyq janë edhe Redi Molla e Mariglen Qato, dy ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës, të cilët akuzohen se krijuan një skemë korruptive të përfitimit të miliona euro fonde publike të bashkisë nëpërmjet tenderave që fitonin me kompaninë e tyre “5D Construction”.
Me nga 9 muaj u dënuan edhe 4 të pandehurit e tjerë në këtë proces, të cilët gjithashtu përfituan ulje dënimi në 6 muaj heqje lirie mes të cilëve, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi, Rivjola Baxha, si dhe Kristo Zhulati.
Ata u gjetën fajtor për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera”.
Sipas GJKKO, ata kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomik fitues “V.A.S Konstruksion sh.p.k” dhe “Rroku Guest” sh.p.k, në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i sheshit të parkimit te “Selman Stërmasi”, të zhvilluar më 1 tetor të vitit 2019.
Ndërkohë, më herët SPAK ka sqaruar se kompania “5D”, zotëruar në mënyrë indirekte nga Redi Molla dhe Mariglen Qato, ish-drejtor në institucionet në varësi të Bashkisë Tiranë ka përfituar tenderë në kundërshtim me ligjin nga “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.