Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit, ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” ndaj ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë, Redi Molla dhe Mariglen Qato, të dyshuar nga SPAK për dosjen “5D”.
Kështu, Redi Molla dhe Mariglen Qato do të mbeten përsëri në qeli, teksa Gjykata e Lartë i kishte kërkuar Shkallës së Dytë të rishqyrtonte masën që kishte dhënë në muajin maj të këtij viti, ku kishte lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të GJKKO. Por edhe pas rishqyrtimit, mbeti në fuqi e njëjta masë.
Masa e sigurisë ndaj Mollës e Qatos u rigjykua në Apelin e Posaçëm me një trupë të re gjykuese, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë.
Ndërkohë, më herët, SPAK ka zgjatur afatet hetimore ndaj Taulant Tushës, Mariglen Qatos dhe Redi Mollës. Për Tushen hetimet u zgjatën me 3 muaj, ndërsa për Mollën dhe Qaton me 1 vit.
Sipas SPAK, Qato dhe Molla janë pronarë ‘de facto’ të kompanisë “5D”, e cila sipas hetimeve, ka rezultuar fituese në disa tenderë pranë Bashkisë së Tiranës.
Në korrik të këtij viti, SPAK ka sekuestruar kompaninë “5D Konstruksion” dhe asetet e të arrestuarve. Prokuroria e Posaçme tha se nga hetimet ka rezultuar se shumat monetare të përfituara në mënyrë të parregullt nga shoqëria “5D Konstruksion”, përbëjnë “produkt” të veprës penale, pjesërisht janë nxjerrë jashtë sistemit bankar nëpërmjet skemës së pagesave për punime fiktive duke u disponuar në gjendje cash nga pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare, si dhe pjesërisht janë ri-investuar në aktivitetin tregtar të shoqërisë tregtare.
“Janë mbledhur prova të mëtejshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare të përfituara në gjendje kesh janë përdorur më pas për të investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme”, tha SPAK.
Gjykata e Posaçme firmosi 9 urdhër-arreste për ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe biznesmenë, të cilët akuzohen për veprat penale “shkelje të barazisë në pjesëmarrjen e tenderëve dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Nertina Kosova, sot më 07.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 58 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 18, datë 03.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për personat nën hetim R.M. dhe M.Q, në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi: Miratimin e vendimeve nr. 28, datë 28.03.2024 dhe nr. 35, datë 30.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për personat nën hetim M.Q. dhe R.M”, njofton Gjykata e Posaçme e Apelit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.