Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka liruar Redi Mollën, duke zbutur masën e sigurisë për ish-drejtorin e Bashkisë së Tiranë i akuzuar për dosjen “5D”, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.
Sipas avokatëve Molla ndodhet prej muajit korrik nën trajtim mjekësor për shkak të problemeve shëndetësore me zemrën.
Ky ka qenë argumenti që ka bindur Gjykatën pasi është njohur edhe me raportet mjekësore për të zbutur masën e sigurisë.
Redi Molla dhe ish-drejtuesit e tjerë të Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha, u arrestuan në mars të vitit 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur si “5D”.
Sipas SPAK, Qato dhe Molla dyshohet se janë pronarë de facto të kompanisë “5D”, e cila ka rezultuar fituese në disa tendera të zhvilluar nga Bashkia e Tiranës.
Hetimet kanë zbuluar se bëhet fjalë për 11 procedura tenderimi të zhvilluara në një periudhë gjashtëvjeçare, nga viti 2016 deri në vitin 2022.
Kompania “5D” dyshohet se ka vepruar edhe nën dy emra të tjerë tregtarë: “Igor Electric” dhe “Vas Construction”, përmes të cilëve janë realizuar një pjesë e kontratave publike nën hetim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



