Gazeta Si – Apeli i GJKKO-së ka vendosur të lirojë nga qelia 5 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, të pandehur në një prej fraksioneve të dosjes së njohur si “5D”.
Të pandehurit kanë përfituar ulje dënimi nga gjykimi i shkurtuar, deri në 6 muaj burg, i cili u është konvertuar në shërbim prove.
Trupa gjykuese, e kryesuar nga Miliana Muça, me anëtare Saida Dollani dhe Tereza Merkaj, la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, por ndryshoi mënyrën e ekzekutimit të dënimit, duke zbutur masat e tyre të sigurisë.
Përkatësisht, për Eglantina Zëren, është caktuar shërbim prove për 1 vit, duke pezulluar dënimin me burg. I njëjti vendim është marrë për Rivjola Baxhakun, Enkelejda Qytën, Bruno Koçin e Kristo Zhulatin.
Ata u shpallën fajtorë për veprën penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Apeli vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vendosjen e tyre në shërbim prove për 12 muaj, me detyrimin për t’u paraqitur pranë Shërbimit të Provës dhe për të mos kryer vepra të tjera penale.
Gjatë hetimeve, SPAK u sekuestroi ish-zyrtarëve dhe një sërë pasurish nën emrin e tyre dhe të familjarëve.
Gjithashtu, të pesëve u është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
“5D” është ndër dosjet e ndjekura nga GJKKO, me akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre në Bashkinë e Tiranës.
Hetimet kanë përfshirë zyrtarë të lartë dhe biznesmenë të dyshuar për afera financiare dhe tenderë të dyshimtë.
Zyrtarët e lartpërmendur u morën të pandehur në kuadër të dosjes që njihet për publikun si dosja “5D Konstruksion”, fraksioni i dytë i saj dhe dyshohet se kanë favorizuar dy kompani në një tender për “Rikonstruksionin e sheshit të parkimit te Selman Stërmasi”.
Në gjyq për të njëjtën dosje, në një proces më vete, janë edhe Redi Molla dhe Mariglen Qato, të cilët akuzohen se, duke drejtuar në hije kompaninë “5D Konstruksion”, kishin marrë disa tendera në shkelje të ligjit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



