Kosova

‘Dorëzohet’ Ministria e Financave në Kosovë, ekzekuton pagat e grevistëve

Ministria e Financave në Kosovë tha se ka kryer pagesat për pjesën e mbetur të organizatave buxhetore për muajin gusht, por shtoi se punëtorëve që gjenden në grevë, duhet t’iu pezullohen kontratat e punës.

Në njoftimin dërguar mediave, Ministria njofton se ekzekutimi i pagave është bërë ndonëse edhe përtej afatit shtesë disa organizata buxhetore as deri në ditën e sotme nuk kanë bërë përditësimin e listave për të reflektuar kompensimin e saktë për orët dhe ditët e punuara.

 Kjo, sipas ministrisë, ka ndikuar në vonesë të ekzekutimit të pagave edhe për ata që kanë punuar.

Ministria kishte njoftuar në fund të gushtit se pagat ishin ekzekutuar pjesërisht, vetëm për ato organizata buxhetore që kishin dërguar listën e punëtorëve që nuk ishin në grevë.

Sipas Ligjit për greva, Ministria e Financave tha se punëdhënësi i grevistëve duhet t’u pezullojë kontratën e punës.

“Ky pezullim duhet të bëhet nga punëdhënësi, gjegjësisht përfaqësuesi i punëdhënësit apo Zyrtari Kryesor Administrativ i secilës organizatë buxhetore. Andaj, i takon secilës nga organizatat buxhetore që të përditësojnë listat e pagave dhe t’i dërgojnë në Thesar ashtu që të reflektohet saktë kompensimi për punën e secilit”, u tha në njoftim.

Grevistët kanë thënë se Qeveria nuk mund të ndalë rrogat e tyre për aq kohë sa ata janë në grevë, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar javën e kaluar se nuk mund të paguhen personat që nuk punojnë.

Sindikatat që janë në grevë po kërkojnë nga 100 euro shtesë për punëtorë deri në hyrjen në fuqi të Projektligjit për paga, që së fundmi është hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndërkaq, në fundjavë, Qeveria prezantoi një pako të ndihmës, ku u parashikua ndihmë prej 50 eurosh për sektorin publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë