Motosport

Dorëzohet Marquez, Bulega e zëvendëson

Nga Gazeta Si – Ducati konfirmoi se ylli i “World Superbike”, Nicolo Bulega, do të zëvendësojë Marc Marquez për pjesën e mbetur të sezonit në “MotoGP”.

Kampioni aktual i “MotoGP” është jashtë garave që nga Indonezia, në fillim të Tetorit, kur pësoi një frakturë në shpatull.

Menjëherë pas kësaj u njoftua se ai do të mungonte për pjesën tjetër të sezonit.

Në dy garat e zhvilluara në Australi dhe Malajzi — Marquez u zëvendësua nga Michele Pirro (piloti testues i Ducati-t) që nuk mori asnjë pikë.

Prej kohësh kishte zëra se Bulega mund të transferohej në “MotoGP”, por ai fillimisht dëshironte të testonte motorin “GP25”.

Gjë që e bëri të enjten e kaluar në Jerez, dhe pas testeve konfirmoi se është gati për sfidën.

Në moshën 26-vjeçare, Bulega do të garojë në dy garat e fundit të këtij viti, në Portugali dhe Valencia, debutimi i tij në “MotoGP”.

Ai kaloi në “Supersport” në vitin 2022 pas tre sezonesh në “Moto2”, dhe ka qenë pjesë e Ducati-t që nga ai vit.

Bulega dominoi kampionatin “Supersport 2023”, përpara se të kalonte në “World Superbike” për vitin 2024.

Ai do të jetë shok skuadre me Francesco Bagnaia-n në ekipin zyrtar të Ducati-t për garat e fundit të këtij sezoni.

Në vitin 2026, ai do të vazhdojë si pilot testues i Ducati-t në “MotoGP”, së bashku me Pirro-n, dhe kjo mund të jetë një përgatitje për një vend të përhershëm deri në vitin 2027.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë