Drejtësia

Dorëzohet Fatos Tushe, heq dorë nga beteja me qeverinë në Gjykatën Kushtetuese

Ish-kreu i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, ka hequr dorë nga ankimimi në Gjykatën Kushtetuese pas ankimimit për shkarkimin nga detyra që iu bë me vendim qeverie.

Seanca ishte parashikuar që të zhvillohej këtë të martë, ndërsa Gjykata Kushtetuese e ka pushuar çështjen, duke e konsideruar si tërheqje të Tushes nga kërkesa.

Tushe u shkarkua si kryebashkiak i Lushnjës me vendim të qeverisë, pasi u vu nën hetim nga GJKKO për abuzim me tenderin për kanalin ujitës. Ai ndodhet në burg prej dia muajsh, edhe pse ka tentuar disa herë të marrë lirinë nga GJKKO, për shkak se sipas tij ka probleme shëndetësore.

Tushe u arrestua me 6 korrik, me 10 ish-vartësit e tij, nga një operacion i ndërmarrë nga SPAK, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Bëhej fjalë për një tender me vlerë rreth 23 mln lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj.

Sipas SPAK  ndonëse fituese u shpall kompania ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqej shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i ish kryebashkiakut.

Një tjetër episod  kundër ish kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë, sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”.

Ish-kryebashkiaku ka dalë në përgjime edhe teksa abuzon me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve të tij, mes tyre edhe të djalit të një deputeti.

Po ashtu, dyshohet se ai ka ndërhyrë për një banesë që po ndërtohej pa leje, që inspektorët të mos shkonin për kontroll. Fatos Tushe u shkarkua nga detyra nga një vendim i Këshillit të Ministrave pas aferave korruptive në të cilat ai ishte përfshirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë