Gazeta Si – Vendimet e fundit të Gjykatës së Tiranës në lidhje me pezullimin e zgjedhjeve për kreun e FSHF-së, por edhe të tij personalisht nga detyra e presidentit, e kanë detyruar Armand Dukën të pranojë shtyrjen. Qëndrimin e tij të fundit Duka e ka bërë të ditur me një postim në faqen e tij në Facebook.
Duka pohon mes të tjerash se procesi i zgjedhjes së kreut të ardhshëm të FSHF-së dhe Komitetit Ekzekutiv është i ndërlikuar, ndaj dhe do të kërkojë në Asamble që zgjedhjet të bëhen në një datë tjetër dhe jo më 2 mars.
Ja çfarë shkuan Duka në postimin e tij:
Të nderuar miq, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore më 2 mars 2022, me një rend dite siç e parashikon Statuti i FSHF-së: miratimin e bilancit financiar, miratimin e buxhetit, miratimin e raporteve të auditorëve të pavarur dhe zgjedhjet për organet drejtuese, për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv për katër vitet e ardhshme.
Duke qenë dëshmitar të një procesi të ndërlikuar me debate e akuza, por edhe disa vendime gjyqësore, përfshirë dhe atë për Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë, që duhet të respektohen detyrimisht, unë do t’i propozoj dhe do t’i kërkoj Asamblesë që pikën e rendit e ditës për zgjedhjet e organeve drejtuese të FSHF për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv, të shqyrtohen në një datë tjetër.
Uroj që kjo periudhë t’i shërbejë një procesi të rregullt statutor dhe gjithë kandidatëve për të shpalosur platformat e tyre përballë komunitetit të futbollit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




