Ngjarje

Dorëzohen fermerët ambulatorë, braktisin kioskat përgjatë rrugëve nacionale

Koha nuk pret, për këdo që merret me bujqësi është sezoni i mbjelljes së perimeve të stinës. Ndaj dhe policia në dalje të Tiranës e ka mbyllur një sy. Kur të gjitha bizneset ulin qepenat me shpejtësi sapo kalon ora 13.00, përgjatë rrugës Tiranë-Durrës, në dalje të kryeqytetit qëndrojnë hapur si padashje serat që shesin fidanë domatesh, specash, patëllxhanesh, bamje dhe lule të vogla. Ndonjë banor i zonës kalon nxitimthi aty dhe blen ç’të mundet për t’u drejtuar menjëherë drejt arave, pasi gjithë paraditen ka punuar tokën. Këto sera janë të vetmet që tregtojnë, me pronarët që ekspozojnë në hyrje të shtëpisë rrënjët e perimeve që janë e vetmja mundësi për fshatarët që tokat mos t’u mbeten djerrë.

Por në rrugë nuk duken asgjëkundi fermerët ambulatorë që para Covid-19, ekspozonin prodhimet e stinës. Shumë prej tyre i kanë braktisur, pasi kushdo që frekuenton aksin Tiranë-Durrës gjatë rrugës së vjetër, nuk del më me synimin për të blerë produkte fshati. Kioskat e sajuara përballë shtëpive që përbëheshin nga një tavolinë dhe karrige janë braktisur.

Bukuria nxiton të hedhë në karrocë qepët e njoma, spinaqin dhe sallatën. Ka punuar tokën dhe shpresonte që të shiste diçka, siç edhe ka vepruar çdo vit. Por tashmë ngjajnë sikur ato kohë kanë ikur. “Nuk dua të mërzitem, përherë e kemi përdorur pragun e shtëpisë për të tregtuar prodhimet e tokës, por koronavirusi i ka prekur të gjithë”, thotë ajo për Gazeta Si.

Bukuria

Disa shtëpi më tej, Albani pranon se i futën brenda në oborr tavolinën dhe karriget, pasi në shtëpi i kishin ndarë punët. Ai si më i ri punonte tokën, ndërsa prindërit shisnin, ashtu si dhjetëra banorë të zonës që e përdornin aksin nacional si shitës ambulatorë. Albani rrëfen për gazetën “Si” vështirësitë e një fermeri dhe shitësi ambulant, në një kohë kur në rrugë nuk ka më trafik makinash, lëvizjet janë të kufizuara, por prodhimet duhen shitur. “Nuk shesim më, pasi kam merakun e prindërve. Prodhimi më mbeti në tokë. Spinaqi po e humbet vaktin, shikoje sa është rritur se ka kohën e tij dhe spinaqi dhe qepët. Mora autorizim te policia që t’i tregtoja, ma dhanë pak me vonesë dhe ndaj më mbeti stok prodhimi në ara. Mbasdite e shkulim nga toka e pastrojmë, qepët ose spinaqin apo sallatën, e lidhim dhe duke qenë që kam marrë autorizim të qarkulloj natën, nisem që pa gdhirë me makinë. Shkoj te tregu pranë Kamzës, kam pasur ditë që ma kanë marrë 30 lekë kilogrami i spinaqit, zëre falas. Ka pasur ditë që nuk e kam shitur se më ka ardhur keq ta jepja kaq lirë dhe jam kthyer në shtëpi”, tregon ai.

Albani tund kokën trishtueshëm, prodhimet e tokës janë të vetmet artikuj që kur i shet, fiton diçka. Por sidoqoftë ai nuk harron të kujtojë “kur nisem kam jo vetëm frikë do ta shes apo jo mallin, ditë e mirë është ajo kur e shes 50 apo 60 lekë, por frikë është edhe se mos kthehem në shtëpi dhe jam infektuar”.

Përse familja e tij nuk e shet te tregtarët e mëdhenj? Albani i tregon Gazetës Si se tregtarët e mëdhenj kërkojnë prodhim masiv dhe kur blejnë, i blejnë për bukën e gojës. “Ja shikoje ku i kemi futur tavolinat ambulatore derisa të mbarojë kjo gjendje, bujqësia nuk të bën të pasur, por jeton me të”, shton për gazetën “Si” Albani.

Si Albani kanë vepruar edhe dhjetëra të tjerë, ose prodhimi po u kalbet në tokë, ose presin që dikush të ndalet e të blejë gjëkafshë. Teksa udhëton drejt Durrësit në rrugën e vjetër kalohen në heshtje fshatrat Vaqarr, Pezë Helmës, Pezë e Vogël, Ndroq, Pjezë, Rreth, Shkallnuer dhe Arapaj. Përgjatë këtij aksi tendat e braktisura ngjajnë si skelete drurësh apo plastmasi që kanë mbirë në mes të gjelbërimit. Shumë të tjerë janë treguar shpresëplotë, ndaj dhe i kanë futur tavolinat në ndonjë hije apo poshtë ndonjë strehe. Fermerët, të cilët shfrytëzonin deri para Covid-19 fatin që kishin shtëpitë në rrugë dhe shisnin produkte, tashmë gjenden shumë larg kësaj mundësie. Disa po e shkulin spinaqin që po kalbet dhe po punojnë tokën. Me përjashtim të një 11-vjecari, prindërit e të cilit kishin mbjellë spinaq, dhe ai nuk është dorëzuar. Është i vetmi që vazhdon kokëfortë të ofrojë tufa me spinaq edhe pse ka hyrë në fuqi ndalim-qarkullimi. Ai ka përmbysur një kovë të kuqe, duke e improvizuar si banak dhe pret, pret të shesë diçka, atëherë kur shumë të tjerë as që duan ta kalojnë pragun dhe gardhin e shtëpisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë