Nga Gazeta Si- Për ngjarjen e rëndë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin ka një hetim zyrtar, por opozita është e bindur se hetimi nuk ka për të shkuar deri aty ku duhet. Drejtori i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Avenir Peka jep disa argumente pse hetimi nuk po bëhet i plotë dhe kush dështoi në burgun e Peqinit. Në një intervistë për Gazeta Si, duke kujtuar sesi burgu i Peqinit u përfshi në atë që e quan manipulim të zgjedhjeve të fundit për bashkinë e Rrogozhinës, zoti Peka flet për 3 arsye madhore të dështimit: bashkëpunimin elektoral të shtetit me krimin, përfshirjen e sistemit të burgjeve në sistemin partiak të patronazhimit dhe korrupsionin. Në analizën e tij, zë vend një listë e gjatë me institucionet që dështuan në Burgun e Peqinit, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Policinë dhe Shërbimin Informativ.
Gazeta Si: Prokuroria e ka kanalizuar hetimin e vrasjes brenda burgut të sigurisë së lartë në Peqin tek disa punonjës, përfshirë drejtorin, për mosmenaxhim të mirë të sigurisë së burgut dhe moskontroll fizik të vrasësit, siç e kërkon procedura. Mjafton kjo pistë për të kuptuar bashkëpunëtorët?
Avenir Peka: Kjo pistë është për të mbuluar krimin, jo për ta zbuluar atë. Por, prokuroria nuk shkon dot më lart. Ne fakt, kjo ngjarje është edhe si pasojë e veprimeve apo mosveprimeve të prokurorisë. Në zgjedhjet lokale të këtij viti, burgu i Peqinit u përfshi në një skandal zgjedhor, ku ndërhyrja, manipulimi dhe presioni ndaj të burgosurve ndryshoi rezultatin e votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i anuloi ato dhe urdhëroi përsëritjen e zgjedhjeve. Çfarë ndodhi? Edi Rama, për t’i dhënë një leksion Erion Veliajt, pasi Rrogozhina ishte nën drejtimin politik të këtij të fundit, me nderhyrjen direkte të tij dhe të strukturave shtetërore, e shumëfishoi manipulimin dhe rezultatin e zgjedhjeve me mbi 2000 vota. Ne lidhje me prokurorinë, nëse ajo do të lejohej të hetonte siç duhej manipulimin e zgjedhjeve në atë burg, vrasja e fundit nuk do të ndodhte. Ngjarja në burgun e Peqinit nuk është thjesht një rast paaftësie, korrupsioni apo cedimi në masat e sigurisë. Janë të gjitha këto, por kjo eshte më e pakta. Incidenti është rasti tipik për të treguar degradimin e shtetit dhe shndërrimin e tij në një korporatë mafioze. Dhe ja pse:
Së pari, është bashkëpunimi elektoral midis partisë në pushtet dhe grupeve kriminale, pikërisht nëpërmjet strukturave shtetërore. Eshte provuar tashmë se në disa palë zgjedhje, duke përfshirë dhe këto të fundit, shteti ka krijuar një aleancë elektorale me këto grupe. Dhe kemi një situatë ku kreret e grupeve kriminale ose drejtojnë shtabet zgjedhore të Partisë Socialiste, si në Shkodër, Kamëz apo Vorë, ose urdhërojnë nga Dubai, ose nga burgu.
Së dyti, krijimi i sistemit patronazhist, në çdo institucion të qeverisjes, duke përfshirë edhe sistemin e burgjeve, të policisë, kadastrës, tatimeve, doganave dhe, së fundmi, edhe në shërbimin sekret. Po të shikosh stafin e sistemit të burgjeve, duke përfshirë edhe burgun në fjalë, vërehet qartë se drejtuesit e këtyre institucioneve janë drejtues të strukturave të ndryshme të Partisë Socialiste, ndërkohë që stafi i punonjësve ose janë familjarë të tyre, ose jane patronazhistë të partisë në pushtet.
Së treti, është korrupsioni. Jo vetëm ai i tenderave, por edhe i punonjësve të atij burgu. Punësimi i tyre nëpërmjet sistemit të patronazhistëve është korruptiv, por edhe veprimtaria e tyre, duke u krijuar favore të burgosurve, është aktivitet korruptiv. Unë e kam vizituar dhe inspektuar atë burg vite më parë, kur nuk kishte këto sisteme sigurie që ka sot dhe një gjë ishte e sigurt: asgjë nuk mund të futet apo të dalë nga ato ambiente pa leje. As dhe një gram hashash, jo më telefona apo armë. A është aferë e thjeshtë korrupsioni, a është shpërblim për kontribut zgjedhor, a është një skemë më e madhe e luftës midis bandave të ndryshme me ndihmën e strukturave shtetërore, këtë nuk mund ta them me siguri. Por ajo që mund të them me siguri është se prokuroria nuk mundet dhe nuk do të shkojë më tej se ç’ka shkuar.
Gazeta Si: Këto ditë është ngritur shqetësimi i vendosjes në rrezik të sigurisë në burgje për shkak të korrupsionit. A ka masa nga qeveria, përkatësisht Ministria e Drejtësisë për të luftuar korrupsionin në burgje?
Avenir Peka: Për arsyet që citova më lart, qeveria jo vetëm që nuk ka marrë masa, por ajo është pjesë dhe shkaktarja kryesore e mungesës së sigurisë. Në incidentin e fundit, nuk ka dështuar vetëm burgu i Peqinit apo edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Aty ka dështuar edhe Policia e Burgjeve, edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, që është edhe shërbim inteligjent jashtë strukturës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Të tre këto institucione kanë një pikë takimi, që është Ministri i Drejtësisë. Por prapë, nuk është kjo e gjitha. Aty ka dështuar edhe policia kriminale, për shkak të mungesës së inteligjencës kriminale, që është në varësi politike të Ministrit të Brendshëm. Historia e lidhjes me bandat kriminale të drejtuesve të Ministrisë së Brendshme, duke përfshirë dhe këtë aktualin, është tashmë e njohur për publikun. Në incidentin e burgut të Peqinit ka dështuar edhe Shërbimi Informativ i Shtetit, pasi aktiviteti i tyre i inteligjencës shtrihet edhe në burgje. Pra, kemi një kolaps total të sistemit të sigurisë. Juve ju kujtohet arrestimi i drejtuesve të lartë të repartit të forcave speciale të ushtrisë për kultivimin e kanabisit brenda ambienteve të sigurisë së lartë të repartit ushtarak. Pra, mungesa e sigurisë nuk është vetëm në burgje, por në të gjitha institucionet e sigurisë. Duke iu rikthyer pyetjes suaj, korrupsioni në sistemin e burgjeve është vetëm një element. Mungesa e sigurisë është më e thellë dhe shtrihet përtej sistemit të burgjeve.
Gazeta Si: Në deklaratën e prokurorisë nuk përmenden fare sistemi i mbikqyrjes me kamera të burgjeve, për të cilin është kryer një tender 6 milionë euro. A mund të jetë hetimi i plotë pa shqyrtuar dhe pistën e kamerave të sigurisë apo skanerat, për te cilat ka njoftime jozyrtare se nuk ishin funksionale?
Avenir Peka: Nuk e ndalon teknologjia korrupsionin. Sistemi i kamerave, sado të ketë kushtuar, pavarësisht mënyrës së tenderimit dhe sado i avancuar të jetë, ai përsëri komandohet nga njerëzit. Ne kemi pare sistemin e E-albania. Në dhjetë vitet e fundit janë shpenzuar mbi 200 milionë euro. Dhe çfarë ndodhi? Partia në pushtet dhe, më specifikisht, Kryetari i Bashkisë së Tiranës vodhi të dhënat biometrike të 900 mijë qytetarëve shqiptarë për t’u përdorur nga patronazhistët në zgjedhjet e vitit 2021, përdorim që akoma vazhdon. Pastaj ndodhi hakerimi iranian. E njëjta gjë ndodhi me sistemet e sigurisë së Policisë së Shtetit, me sistemet TIMS dhe Memex. Para disa muajsh, punonjës të IT-së, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit përsëri vodhën të gjitha të dhënat e sistemit TIMS. Por prokuroria nuk ka kurajon të hetojë dhe t’u shkojë deri në fund, pasi ato të çojnë tek krerët e Ministrisë së Brendshme. Pra, teknologjia nuk ndalon korrupsionin. Ajo thjesht i shërben vullnetit të atyre që përdorin këto teknologji.
Gazeta Si: Kur prezantoi drejtorin e Policisë së Burgjeve në 2018-ën, kryeministri Rama deklaroi se të gjithë burgjet do të ishin nën monitorim të dyfishtë 24 orë, edhe nga operacioni “Forca e Ligjit”, në mënyrë që, siç tha ai “askush të mos fshihet nga batanija që i hedh kamerave”. Çfarë ka shkuar keq që atëherë, që ndodhi vrasja brenda në burg?
Avenir Peka: Nuk mund të garantojë siguri ai që është autori kryesor i pasigurisë. Simbioza e shtetit me krimin është produkt i tij. Sistemi patronazhist është produkt i tij. Sistemi militantesk i emërimeve është produkt i tij. Përdorimi i bandave kriminale për të blerë, manipuluar apo shantazhuar votuesit është krijim i tij. Ju përmendët operacionin ‘Forca e Ligjit’. Çfarë ishte ajo? Ajo nuk ishte asgjë më tepër sesa një mekanizëm shtetëror për legjitimimin e të ardhurave nga aktiviteti kriminal, ishte një mekanizëm presioni ndaj grupeve kriminale për t’i përdorur gjatë fushatës elektorale, por ishte dhe një mekanizëm korrupsioni dhe zhvatjeje nga elementë brenda kësaj strukture. Mjafton për të parë vetëm bilancin e këtij operacioni. Zero. Sepse nuk kishte për objektiv zbulimin, por mbulimin e pasurive kriminale. Në fushën penale njihet parimi i “gjësë së gjykuar”, që nënkupton se një individ nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën gjë. Mekanizmi i Forcës së Ligjit, kishte synim pikërisht këtë: të bënte një operacion madhor, t’i behej reklamë e madhe, t’u hidhej hi syve partnerëve ndërkombëtarë, te hetoheshin këto pasuri, ku të mos dilte gjë apo pakgjë, të konsiderohej ligjërisht si gjë tashmë e gjykuar një herë, të bënte të pamundurën për t’u hetuar dhe gjykuar në të ardhmen, pikërisht prej atij parimi ligjor-penal, dhe të pastronte të ardhurat kriminale një herë e mirë.
Se çfarë ka shkuar keq mjafton të shikosh faktin që DEA amerikane për herë të parë në 30 vjet ka vendosur një prani të saj permanente në Shqipëri. Është e pamundur të luftosh krimin, nëse e përdor atë për të fituar zgjedhjet apo kur ndan paranë me të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.