Politike

Kandidatët për deputetë, KQZ do t’ua refuzojë dorëheqjet

Aksioni i opozitës për dorëzimin e mandateve të deputetëve, parashikon edhe refuzimin e marrjes së mandatit nga ana e kandidatëve që janë në listën shumemërore të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Selitë e dy partive mësohet se kanë mbledhur deklaratat e dorëheqjeve për kandidatët që në listën e fituesve dhe sipas të gjitha gjasave do t’i depozitojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në thelb deklarata e nënshkruar në tekstin është e njëjtë me atë që kanë nënshkruar deputetët e opozitës, por që në titull ka deklarim për dorëheqje nga kandidimi apo zgjedhja. “Jap dorëheqjen e parevokueshme nga kandidimi apo zgjedhje si deputet për në Kuvendin e Shqipërisë. Gjithashtu heq dorë nga procesi i animimit administrativ dhe gjyqësor, me objekt kundërshtimin për mos dhënien e vendimit për mandatin e deputetit”, thuhet në tekstin e deklaratës së firmosur nga kandidatët për deputetë.

Por kjo lëvizje mësohet se do të cilësohet si nul nga ana e KQZ-së, pasi ato nuk kanë ndonjë vlerë ligjore.
Këto deklarata nuk njihen si të ligjshme pasi kandidati, sipas burimeve pranë KQZ, nuk do të merret në konsideratë se ai nuk gëzon mandat deputeti ligjërisht që të deklarojë më pas dorëheqjen nga posti që mban. Kështu KQZ-ja ka vepruar edhe me rastin e dorëzimit të mandateve të deputetëve të opozitës, ku i kërkoi Kuvendit rishikimin e procedurës së nisur, pasi nuk ishte njoftuar vakanca e krijuar.
Pikërisht kjo procedurë e re pritet të shkaktojë një zgjatje të procesit të plotësimit të vendeve të Parlamentit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkoi sot që të gjitha kandidatët e listës shumemërore kanë afat 10 ditë për dorëzimin e formularit të vetëdeklarimit. Ky proces lidhet si pjesë e zbatimit të ligjit të Dekriminalizimit. Edhe pse kandidatët e kanë plotësuar më parë formularin e Dekriminalizimit, KQZ do t’i kërkojë ta plotësojnë nga e para, pasi mund t’i ketë ndryshuar situatë gjyqësore.
Gjithsej janë 57 deputetë të opozitës që kanë depozituar kanë firmosur deklaratën për dorëzimin e mandatit. Mes tyre janë 17 deputetë të LSI-së dhe të tjerët janë të PD-së apo dhe krerët e partive aleate.

Deklarata e nënshkruar nga kandidati i LSI-së për në qarkun Dibër, Nedion Muça


KQZ-ja do të marrë një vendim pas verifikimit të kësaj procedure, ku kandidatët për deputetë veç depozitimit të deklaratës së re, duhet të paraqiten përpara KQZ-së.
Sipas nenit 164 të Kodit Zgjedhor, në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës.
Në bazë të këtij përcaktimi, i bie që kandidatët që do të shpallen fitues duhet të deklarojnë pranë Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet nëse janë për të marrë mandatin ose do ta refuzojnë një gjë të tillë.
Sipas pikës 2 të po këtij neni, mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Në përjashtim nga ky rregull, kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse, pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk aplikohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar.
Kodi ka parashikuar edhe momentin kur do të ezaurohen listat e partive, atëherë mandatet e deputetëve i kalon partisë që ka marrë më shumë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare. Mbi bazën e këtij përcaktimi i takon që mandatet e opozitës t’i kalojnë Partisë Socialiste, si subjekti politik që ka më shumë vota.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë